“Tirana zyrtare”, ka reaguar ndaj thirrjeve ofenduese të një grupi ekstremistësh maqedonas.

Përmes një komunikate zyrtare, Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme, kërkon vendosjen para drejtësisë dhe izolimin e këtyre rasteve.

“MEPJ shpreh keqardhjen dhe dënon gjuhën e urrejtjes dhe thirrjet raciste antishqiptare të hedhura dje gjatë ceremonise së festimit të kryengritjes së Ilindenit në Meçkin Kamen në Krushevë.

Besojmë se këto janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme dhe shpresojmë që incidente të tilla që ndjellin urrejtje ndëretnike të mbeten të izoluara.

MEPJ i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të hetojnë nxitësit e dhunës dhe vendosjen e tyre para drejtësisë.

Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë dhe do të jenë miq të përhershëm të Maqedonisë. Ne besojmë në vlerat e bashkëjetesës, në harmoninë dhe bashkëpunimin midis vendeve e qytetarëve tanë“, nënvizohet në komunikatë.