Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes publikoi sot raportin e tetë të trajtimit të ankesave nga sipërmarrja. Sipas këtij raporti, Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes ka shqyrtuar 49 kërkesa, gjatë muajit maj, prej të cilave 32 kërkesë/ankesa, pas këshillimeve dhe gjetjes së hapësirave ligjore, janë trajtuar dhe zgjidhur.

Gjatë muajit maj, është analizuar propozimi i Shoqatës së Prodhuesve lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar të nën-kontraktorëve të fasonistëve.

Pas vlerësimit të ndikimit të heqjes së kësaj tvsh-je për industrinë, sipas MSHMS-së, u arrit të propozoheshin ndryshime ligjore bazuar në direktivën e BE-së.

Gjithashtu, pas ankesave nga ana e subjekteve dhe shoqatës së Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar lidhur me aktet e njoftimit për pezullim të aktivitetit ISHMPU për shoqëritë e grumbullimit dhe depozitimit të skrapit për qëllime riciklimi, i është kërkuar zgjidhje Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, e cila kreu revokimin e akteve, duke bërë të mundur rinisjen e aktivitetit riciklues.

Gjatë muajit maj, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Sipërmarrjes, kërkesat kryesore të biznesit lidhen me vonesën për rimbursimin e TVSH-së, mosrespektim të afateve ligjore për dhënie licence, mungesë informacioni mbi gjobitjen për punonjës të padeklaruar, kërkesa për ri-kontroll tatimor, ankesë mbi kohën e pritjes së tejzgjatur në pikat doganore apo ankesë lidhur me çmimin më të lartë të referencës në doganë.j.j