Ish-anëtari i Byrosë Politike, Muho Asllani, u përgjigjet akuzave të Liliana Hoxhës për izolim të Enver Hoxhës nga Nexhmije Hoxha dhe grupi i mjekëve.

Ish-anëtari i Byrosë Politike në një intervistë për gazetën “Panorama” hedh poshtë pretendimin e nuses së djalit të Enver Hoxhës, duke thënë se udhëheqësi komunist ishte aktiv, merrte pjesë në mbledhjet dhe takimet me të zgjedhurit dhe kishte informacion të plotë për çfarë ndodhte në vend.

Ai tregon episode kur e ka takuar Enver Hoxhën në zyrë për çështje, që lidheshin me menaxhimin e pasojave të tërmetit në Shkodër në vitin 1979.

Edhe për çështje të tjera, si ajo e tufëzimit të bagëtive në fshatra, një masë që rrënoi ekonomitë e fshatarëve, Muho Asllani shprehet se Enver Hoxha ka qenë në dijeni të plotë, madje e ka konsultuar gjatë këtë propozim. Por Muho Asllani pajtohet me Liliana Hoxhën kur thotë se Ramiz Alia dhe grupi i caktuar nga Enver Hoxha gabuan me bisedimet për lidhjen e Shqipërisë me Gjermaninë në vitin 1984.

Në disa intervista për gazetën “Panorama”, Liljana Hoxha është shprehur se Enver Hoxhën, pas vitit 1974, e kishin izoluar për shkak të sëmundjeve dhe aktivitetin e tij e mbulonte Nexhmije Hoxha, shumë herë duke i përcjellë porositë e tij në kundërshtim me ato që Enveri thoshte.

“Enver Hoxha ishte aktiv. Kur isha në Shkodër dhe isha duke u marrë me pasojat e tërmetit më 1979, unë shkoja çdo 3 ditë te zyra e Enver Hoxhës sepse i kërkoja ndihma, pasi më bllokonin institucione të ndryshme. Shkoja në zyrën e Haxhi Kroit, sekretarit të Enver Hoxhës dhe i thosha se doja të takoja shokun Enver. Sapo i thoshte Haxhiu ka ardhur shoku Muho, ‘hajde Muho bërtiste shoku Enver nga zyra’, ngrihej në këmbë dhe më takonte. Më pyeste menjëherë se çfarë problemi kisha dhe ndërhynte menjëherë. Ai ka qenë vazhdimisht aktiv dhe me informacion të plotë se çfarë ndodhte në bazë dhe në parti”, thotë Asllani.

Një tjetër qëndrim i çiftit Hoxha ka të bëjë dhe me hapjen e Shqipërisë me Gjermaninë. Sokol dhe Liliana Hoxha thonë se Ramiz Alia ka sabotuar lidhjen e Shqipërisë me Gjermaninë dhe vendosjen e marrëdhënieve që në 1984, kur Enver Hoxha ishte gjallë. Kishte diskutime në atë kohë?

Në atë kohë u tha që do vinte në Shqipëri Shtrausi. Disa thoshin, po pse me Gjermaninë do lidhemi ne?! Enver Hoxha ngarkoi Ramiz Alinë me Manush Myftiun dhe Sofokli Lazrin dhe i parashtruan Kryeministrit të Bavarisë, Shtraus, problemin e reparacioneve të Luftës së Dytë Botërore. Të gjitha shtetet kishin marrë dëmshpërblime si vende të pushtuara, ndërsa ne nuk kishim marrë për shkak të neglizhencës sonë. Shtrausi u përgjigj se punën e reparacioneve ne e kemi mbyllur me Kushtetutë, nuk japim më reparacione të luftës. Por unë do ndihmoj Shqipërinë me aq sa mundem.

Grupi ynë i bisedimeve parashtroi kërkesat që kishte, kryesisht ekonomike, ndihma për bujqësinë, për industrinë, mjekësinë etj. Shtrausi ka pranuar, por jo si ndihma, por si blerje me çmime preferenciale, apo gjysmë çmimi nuk e di detajet sa duhet dhe që ato të shlyheshin gradualisht duke u shtrirë në kohë. Të vjetrit thoshin se populli do mendojë se ne iu nënshtruam Gjermanisë.PANORAMA.j.j