“Një zinxhir i tërë zbulimesh në eksplorimin e naftës është para nesh, ndërsa është shtuar interesi i kompanive të mëdha për Shqipërinë”.

I pranishëm në stacionin e kompresimit të TAP, në Fier, Kryeministri Edi Rama vlerësoi se zbatimi i këtij projekti ka sjellë edhe një tjetër të mirë kolaterale për vendin.

“Po shohim se cilësia me të cilën po zhvillohet puna në sektorin e eksplorimit dhe zhvillimit në fushat e naftës në Shqipëri, ka shtuar interesin tek kompanitë e mëdha, dhe jo vetëm te SHELL, që është realisht një kompani me të ardhura vjetore sa 30-fishi i prodhimit kombëtar të Shqipërisë”, tha Rama.

Sipas tij, kanë nisur bisedimet edhe me kompani të tjera të mëdha, që janë të interesuara të investojnë në Shqipëri në sektorin e naftës.

Kryeministri veçoi zbulimin transformues për ekonominë e vendit në Shpirag, duke theksuar se “kemi arsye të jemi të buzëqeshur në raport me të ardhmen në këtë sektor”.

Po ashtu, Rama shprehu edhe mirënjohjen për përfaqësuesit e TAP, të cilët i cilësoi ndër ambasadorët e Shqipërisë, pasi po përjetojnë një eksperiencë pozitive në vendin tonë dhe nuk ngurojnë ta ndajnë me të tjerët”.

“Mirënjohje palës tjetër të investitorëve dhe të administratorëve të këtij projekti kolosal për korrektesën e tyre, shembullin e shkëlqyer në zbatimin e çdo ligji dhe rregulli të Shqipërisë, si dhe për gatishmërinë e tyre për të qenë në dialog të vazhdueshëm dhe për të pranuar kërkesat tona”, tha Rama.j.j