Conn Hallinan“International Policy Digest”/ 

Rezultati i samiti takimit të 11-12 korrikut të NATO-s në Bruksel, humbi mes fiksimit të mediave pas deklaratave bombastike të presidentit amerikan Donald Trump, por “Deklarata e Samitit” meriton një lexim të kthjellët.

Media njoftoi se dokumenti 28 faqesh “përmirësoi gatishmërinë ushtarake”, dhe ishte “tejet kritik ndaj Rusisë”, por nuk kishte shumë detaje përtej kësaj. Por detajet janë të rëndësishme, pasi pikërisht aty fshihet Djalli. Një detaj i tillë është “Nisma e Gatishmërisë” e NATO-s, e cila do të forcojë forcat detare, ajrore dhe tokësore në “pjesën lindore të Aleancës”.

NATO po vendos trupat e saj në baza të ndryshme në Letoni, Estoni Lituani, Republikën Çeke dhe Poloni. Meqenëse Gjeorgjia dhe Ukraina janë ftuar ti bashkohen aleancën, disa nga ato forca mund të përfundojnë të vendosura në kufijtë perëndimorë dhe jugorë të Moskës. Dhe ky është momenti kur duhet të ndalemi dhe reflektojmë.

Një studim i Rrjetit të Lidershipit Europian (ELN), i titulluar “Parashikimi i një konflikti Rusi-NATO”, arrin në përfundimin se “marrëdhënia aktuale NATO-Rusi në funksion të frenimit, është e paqëndrueshme dhe e rrezikshme. Në krye të listës së rreziqeve të studimit, është “konflikti i paqëllimtë”, për të cilin ELN arrin në përfundimin se “mund të jetë skenari më i mundshëm për një shpërthim” të armiqësive.

“Afërsia e madhe mes forcave ruse dhe atyre të NATO-s”, përbën një shqetësim i madh, argumenton studimi, “por edhe fakti se Rusia dhe NATO, kanë pasur edhe më herët baza ushtarake të reagimit të shpejtë, rrit gjasat e ndodhjes së ngjarjeve, që mund të përshkallëzohen shumë shpejt”.

Me forcat e armatosura hundë më hundë, “një kalim nga kriza në konflikt, mund të nxitet nga veprimet e komandantëve rajonalë, komandantëve ushtarakë në nivel lokal, apo të vijë si pasojë e një incidenti apo aksidenti të papritur”. Sipas Këshillit Europian të Lidershipit, ka pasur më shumë se 60 incidente të tilla gjatë vitit të kaluar.

Dokumenti i NATO-s është në fakt i ashpër ndaj Rusinë, duke denoncuar “aneksimin paligjshëm të Krimesë”, “aktivitetet ushtarake provokative ruse në kufijtë pranë NATO-s”, dhe “investimet e rëndësishme të Rusisë në modernizimin e forcave të veta strategjike”.

Shtjellimi i kësaj çështje kërkon pak histori. Dhe ajo shkon më shumë se 3 dekada pas, tek rënia e Murit të Berlinit dhe ribashkimi i Gjermanisë. Asokohe, Bashkimi Sovjetik kishte rreth 380.000 trupa në atë që atëherë ishte Republika Demokratike Gjermane. Ato forca gjendeshin atje si pjesë e traktatit që i dha fund Luftës së Dytë Botërore, dhe sovjetikët ishin të shqetësuar se largimi i tyre, mund të përbënte një kërcënim për kufijtë e BRSS.
Rusët janë pushtuar – me kosto të tmerrshme – tri herë në pak më shumë se një shekull. Ndaj kancelari i Gjermanisë Perëndimore Kol, sekretari amerikan i shtetit Xhejms Bejker dhe kryeministri sovjetik Mihail Gorbaçov, arritën një marrëveshje. Sovjetikët ranë dakord të tërhiqnin trupat nga Europa Lindore, për aq kohë sa NATO nuk do të mbushte boshllëkun apo rekrutonte anëtarët e ish-Paktit sovjetik të Varshavës.

Bejker i premtoi Gorbaçovit, se NATO nuk do të lëvizte “asnjë cm në lindje”. Marrëveshja nuk u shkrua kurrë në letër, por u zbatua në praktikë. NATO qëndroi në perëndim të lumenjve Oder dhe Naise, dhe trupat sovjetike u kthyen në Rusi. Pakti i Varshavës, u shpërbë në vitin 1991.

Por në vitin 1999, NATO pranoi ish-anëtarët e Paktit të Varshavës Hungarinë, Poloninë dhe Republikën Çeke, duke shtuar Bullgarinë dhe Rumaninë 4 vjet më vonë.
Deri në fund të vitit 2004, Moska përballej me NATO-n në Letoni, Lituani dhe Estoni në veri, në Poloni në perëndim dhe me Bullgarinë dhe Turqinë në jug. Që atëherë, Aleanca ka shtuar si anëtarë Sllovakinë, Slloveninë, Shqipërinë, Kroacinë dhe Malin e Zi. Ajo ka ftuar gjithashtu të aplikojnë edhe Gjeorgjinë, Ukrainën, Maqedoninë dhe Bosnje Hercegovinën.
Kur dokumenti i NATO-s dënon Rusinë për aktivitete ushtarake “provokative” pranë kufirit të aleancës, ai i referohet manovrave brenda kufirit të vet, ose njërit prej aleatëve të vegjël të Moskës, Bjellorusisë. Siç shpjegon analisti Anatol Lieven “edhe një fëmijë mund të shikojë një hartë të Europës së vitit 1988, dhe të shohë cili kamp ka përparuar dhe në cilin drejtim”.

NATO akuzon gjithashtu Rusinë për “vazhdimin e një ngritjeje së bazave ushtarake në Krime”, pa asnjë shenjë se këto veprime mund të jenë në përgjigje të asaj që dokumenti i Aleancës, e quan “një rritje të konsiderueshme të pranisë së NATO-s dhe aktivitetit detar në Detin e Zi”.

Baza më e madhe e Rusisë në Detin e Zi, ndodhet në Sevastopol të Krimesë.
Po, rusët po modernizojnë forcat e tyre bërthamore, por administrata e Obamës ishte e para që më 2009-ën nisi zbatimin e programit të saj prej 1.5 trilionë dollarësh, për të përmirësuar sistemet e armëve bërthamore të SHBA-së. Të dy programet, janë një ide e keqe.

Një pjesë e gjuhës së përdorur në dokument lidhur me Rusinë, synon zgjidhjen e problemeve në aleancë. Anëtarët e NATO-s, kanë ranë dakord të japin më shumë para, por ai vendim i parapriu sulmit të Trump në Bruksel mbi shpenzimet për mbrojtjen.
Ndërsa Moska përshkruhet si një kundërshtare agresive, NATO e rrethon Rusinë në të treja anët, duke vendosur sisteme anti-raketore në Poloni, Rumani, Spanjë, Turqi dhe Detin e Zi dhe ka një avantazh 12 me 1 për shpenzimet ushtarake. Me forcat kundërshtare shumë pranë njëra-tjetrës, nuk do të duhej shumë për të nisur një reaksion zinxhir, që mund të përfundonte në një luftë bërthamore.

Megjithatë, në vend që të bëjë ftesë për dialog, dokumenti mburret se Aleanca “ka pezulluar të gjithë bashkëpunimin ushtarak dhe praktik midis NATO-s dhe Rusisë”. Zgjidhja është e dukshme. Së pari, një kthim në statuskuonë ushtarake të vitit 1998. Derisa nuk ka gjasa që ish-anëtarët e Paktit të Varshavës të heqin dorë nga anëtarësimi i tyre në NATO, një tërheqje e trupave jo-kombëtare nga anëtarët e NATO-s që kufizojnë Rusinë, do të ulte tensionet.

Së dyti, heqja e sistemeve anti-raketore, që nuk duhet të ishin vendosur. Nga ana tjetër, Rusia mund të heqë raketat e saj me rreze te mesme Iskander.
NATO po ankohet dhe pajtohet me bisedimet, që synojnë reduktimin e rezervave bërthamore. Por ka ardhur më në fund koha që të ri-mendohen aleancat. NATO ishte një “fëmijë” i Luftës së Ftohtë, kur Perëndimi besonte se sovjetikët ishin një kërcënim. Por Rusia sot nuk është Bashkimi Sovjetik, dhe nuk ka asnjë mënyrë që Moska të jetë aq e çmendur, sa të sulmojë një forcë ushtarake superiore.

Është koha që NATO të kapërcejë mënyrën e veprimit, si të kishte përballë Paktin e Varshavës, dhe të pranojë se mënyrat e dikurshme të të menduarit, nuk janë vetëm të vjetruara, por edhe të rrezikshme. / Në shqip nga bota.al