Bashkimi Europian mbështet fuqimisht përdorimin e pasurive të konfiskuara për të mirën e shoqërisë.

Kështu deklaroi Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin në ceremoninë e hapjes së “Ke Buono”, në Fier, një ndërmarrje sociale e themeluar nga dy organizata të shoqërisë civile në Fier, ENGIM dhe MURIALDO.

Ajo është krijuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian përmes projektit CAUSE – Pasuritë e Konfiskuara të Përdorura për Eksperimentimin Social zbatuar nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, në bashkëpunim me Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

CAUSE kontribuon për ripërdorimin e qëndrueshëm të pasurive të konfiskuara nga krimi i organizuar, duke u ofruar mbështetje financiare dhe teknike organizatave jofitimprurëse për të zbatuar idetë e tyre bazuar në modelin e sipërmarrjes sociale për rehabilitimin e njerëzve në nevojë, veçanërisht viktimave të krimit të organizuar apo atyre që janë të cënueshme nga krimi i organizuar.

Në ceremoninë e hapjes së KE BUONO ishte e pranishme Ambasadorja e Bashkimit Evropian Romana Vlahutin, Ministrja e Drejtësisë Etlida Gjonaj, Ministrja e Shëndetësisë dhe Kujdesit Social Ogerta Manastirliu, Zëvendës Ministri i Financave dhe Ekonomisë Elton Haxhi, Zëvendës Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari etj.

“Kur e filluam këtë rrugëtim dukej si një mision i pamundur për shumë njerëz. Por ne guxuam dhe ja ku jemi sot me “Ke Buono”, si një shprehje kuptimplotë dhe konkrete e suksesit”, tha Juliana Hoxha, Drejtore e Partnerë Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim.

“Ne jemi krenarë të dëshmojmë se si kjo është bërë realitet. Nuk ka të bëjë thjesht me një furrë buke, por me shtetin ligjor. Gjithë shoqëria shqiptare duhet të përfshihet për të luftuar krimin e organizuar. Kjo punë e guximshme dërgon një mesazh të qartë se ajo që vidhet nga shoqëria mund dhe duhet t’i kthehet shoqërisë”, tha Ambasadorja Romana Vlahutin.

“Krijimi i kësaj ndërmarrjeje sociale duket si një aktivitet i vogël, por në fakt, është një model shumë i mirë bashkëpunimi që tregon se si mund të përdoren pronat e konfiskuara nga aktivitetet e paligjshme për të ri-integruar njerëzit në nevojë. Është fillimi i një historie suksesi për t’i kthyer shoqërisë atë që është marrë, këtë herë duke u përdorur për punë të ndershme dhe për integrimin në shoqëri sidomos të grave të cënueshme”, tha Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.