Presidenti Donald Trump i bëri thirrje Bashkimit Europian që të hyjë në negociata për të reduktuar barrierat tregtare, në një telefonatë me presidentin francez Emmanuel Macron, ndërkohë që ekonomia më e madhe në botë po zhytet në një luftë tregtare me Kinën.

Trump dhe Macron diskutuan gjithashtu mbi Korenë e Veriut, Sirinë dhe Iranin, sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë.

Bashkimi Europian ka refuzuar të përfshihet në diskutime formale mbi një marrëveshje mbi tregtinë me Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që industritë e vendeve anëtare janë subjekt i tarifave ndëshkuese mbi çelikun dhe aluminin.

“Jemi gati të bisedojmë mbi liberalizimin e tregtisë me miqtë tanë amerikanë, por vetëm nëse Shtetet e Bashkuara vendosin një përjashtim të përhershëm nga tarifat e çelikut dhe aluminit”, tha presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, muajin e kaluar.

SHBA përbën ende partnerin më të madh tregtar për Bashkimin Europian, pavarësisht rritjes së shpejtë të Kinës.

Trump po rrezikon rendin ekonomik global me kërkesat e tij për tarifa dhe konfliktet tregtare. Pas vendosjes së tarifave ndaj çelikut dhe aluminit, administrata e tij lajmëroi penalitete për importet kineze që do të bëhen efektive brenda disa javëve, gjë që solli kundërpërgjigje të ashpër nga Pekini.

Tensionet janë rritur edhe me Bashkimin Europian, ndërkohë që SHBA ka vënë pikëpyetjen mbi marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë tregtinë, ndryshimin klimatik dhe mbrojtjen.(scan)