Ministri për Punët e Jashtme dhe Europën Ditmir Bushati ka qenë i ftuar sot në emsionin radiofonik të gazetarit Sokol Balla ku fokus i bashkëbisedimit ka qenë pikërisht tema më e përfoluar e momentit, vendimi i Këshillit të Ministrave të BE për çeljen e negociatave me Shqipërinë në qershor të 2019.

I pyetur nga gazetari Balla se si duhet lexuar ky sinjal për qershorin e vitit 2019, Ministri Bushati është shprehur se konkluzionet e Këshillit të Ministrave të paktën përcaktojnë 3 elementë:

Së pari përcaktohet rruga e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë. E dyta përcaktohet një datë dhe afat kohor që është Qershori i 2019, një precedent i ngjashëm ka qenë me Serbinë dhe Malin e Zi.Dhe e treta përcaktohen instrumente dhe puna paraprake që duhet të bëjë Komisioni Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë në këtë drejtim. Pak a shuma puna, analitika apo i ashtuquajturi procesin “screening”.-është shprehur Bushati.

Ndër të tjera, Kreu i diplomacisë shqiptare nuk ka lënë pa iu përgjigjur edhe deklaratave të opozitës duke thënë se: Nuk ka diskutim që konkluzionet e Këshillit të Ministrave të paktën përcaktojnë 3 elementë që besoj se asnjë lloj opozite parlamentare, apo opozitë tjetër institucionale ka mundësi t’i lexojë ndryshe.

Ministri u shpreh optimist për qershorin e 2019 duke thënë se Shqipëria i ka të gjitha energjitë njerëzore dhe afatin kohor për të nisur bisedimet me BE.

“Mendoj se të gjitha energjitë dhe kapacitetet tona njerëzore do të riorientohen drejt këtij procesi sepse afati kohor që është vendosur në dispozicion është afati i duhur dhe plotësisht i realizueshëm për të marrë apo nisur bisedimet për anëtarësim në qershorin e vitit tjetër”.-tha Bushati

Përsa i përket skepticizmit të Francës dhe Holandës Bushati u shpreh se arsyet e Francës dhe Holandës janë shumë më tepër arsye të brendshme.


INTERVISTA E PLOTË:

Sokol Balla: Pak minuta më parë kisha Luan Ramën dhe i thashë nëse do të kishe Ditmir Bushatin tani përballë çfarë do i thoje. Më tha do i thoja të jepte dorëheqjen. Në një farë mënyrë është leximi se si opozita, dhe një pjesë e opinionit publik mund t’i bëjë situatës zoti Bushati. Ok, natyrisht ju keni përgjegjësi politike, edhe teknike le të themi për procesin.

Pra, si duhet ta lexojmë këtë të themi, paravendim, pasi nuk ka akoma asgjë përfundimtare deri të premten e të shtunën, por si mund ta lexojmë këtë sinjal për qershorin e vitit 2019.

Ministri Bushati: Nuk ka diskutim që konkluzionet e Këshillit të Ministrave të paktën përcaktojnë 3 elementë që besoj se asnjë lloj opozite parlamentare, apo opozitë tjetër institucionale ka mundësi t’i lexojë ndryshe.

E para që përcaktohet, skicohet rruga e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë. E dyta përcaktohet një datë dhe afat kohor që është Qershori i 2019, një precedent i ngjashëm ka qenë me Serbinë dhe Malin e Zi.

– Pra, është vepruar njëlloj dhe me Serbinë dhe malin e zi?

Bushati: Është vepruar ekzaktësisht njëlloj me Serbinë e Malin e Zi. Dhe e treta përcaktohen instrumente dhe puna paraprake që duhet të bëjë Komisioni Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë në këtë drejtim. Pak a shuma puna, analitika apo i ashtuquajturi procesin “screening”. Dhe nga kontaktet që kam pasur mbrëmë me komisionerin e zgjerimit, Hahn mbrëmë pritet të fillojmë që në vjeshtën e këtij viti për ta shfrytëzuar në maksimum këtë periudhë. Besoj që duhet të afrohemi të gjithë aktorët politikë në këtë lexim e më pas çështjet apo opinionet në lidhje me kursin e reformave mund të jenë krejt e ndryshme dhe është pak a shumë e natyrshme.

Balla: Z. Bushati megjithatë dilema këtu dhe unë e kam dhe e ndava me dëgjuesit dhe z. Rama. Sa është përgjegjësia jonë dhe sa është kjo situatë e shkaktuar nga një, pa dyshim, një problem i brendshëm i Bashkimit Europian.

Pasi të thuash në deklaratë lëmë qershorin e vitit 2019, nëse Komisioni jep një rekomandim pozitiv, është të tallesh. Pasi komisioni e dha rekomandimin pozitiv apo jo?

Bushati: Mendoj se ndani dhe ju pikëpamjen time që sot për sot situata brenda radhëve të BE është mjaft e tensionuar për të thënë më të paktën. Ka një debat shumë të zjarrtë në lidhje me reformën e eurozonë, presidenti francez kërkon një ministër për eurozonën, buxhet të veçantë për eurozonën, pasoja financiare, ekonomike, tregtare dhe politike për të mos thënë dhe çështjen e nga divorci me Mbretërinë e Bashkuar, ka aleanca fluide që luftojnë vetë brenda Partive Popullore apo spektri tjetër politik e ideologjik në lidhje me krizën e refugjatëve. Dje media ka transmetuar gjatë gjithë ditës që 25 vende anëtare ishin në bllok për nisjes së menjëhershme të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, çka nuk ka qenë me Serbinë e Malin e Zi.

Është e vërtetë që shkoi deri në atë pikë që presidenti Tusk kërkoi heqjen fare nga axhenda si shenjë presioni ndaj dy-tre vendeve skeptike?

Bushati: Po, sikundër mund të them që gjithashtu dhe nga Gjermania, i cili është vendi lokomotiv në këtë proces ka pasur një insistim deri në dekikun e fundit për t’i dhënë dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë derisa u arrit te kompromisi që është bërë publik. Ju folët e komentuat tekstin e kompromisit. Unë do doja ta lexoja ndryshe tekstin e kompromisit. Ka një shprehje të vjetër britanike, meqenëse është një vend që e njihni mirë, që thotë se kompromisi është çadër e mirë për çatinë e keqe, po në fund të ditës duhet të fillojmë të mësohemi me kompromise të tilla, sa më shumë do integrohemi aq më shumë ngjarje të ngjashme do të kemi para nesh.

Balla: Zoti Bushati po ju lexoj një fjali nga deklarata e Presidentit të Republikës Ilir Meta, pak sekonda më parë: Provimi ynë i qershorit të ardhshëm do të jetë shumë i vështirë e kërkues pasi edhe vetë Bashkimi Europian do të ketë provimin e tij zgjedhor në të njëjtën kohë”. Një referencë e qartë me zgjedhjet e Parlamentit Europian që zhvillohen vitin e ardhshëm. Vetë kryeministri Rama, ma kujtoi Luan Rama në fakt pak minuta më herët, e ka thënë këtë që vitin tjetër Europa nuk do ta ketë mendjen tek ne. Pra, sa real është ky afati i qershorit të 2019? Ne do të jemi në zgjedhje, ata do të jenë në zgjedhje. Kush do e ketë mendjen te reformat, kush do ta ketë mendjen te hapja e negociatave. Pra realisht, ju si një person i brendshëm, ju thatë që procesi i “screening” mund të fillojë që në shtator. Pra, a është real qershori i 2019 apo do të shtyhet dhe një herë tjetër deri në dhjetor?

Bushati: Mendoj se të gjitha energjitë dhe kapacitetet tona njerëzore do të riorientohen drejt këtij procesi sepse afati kohor që është vendosur në dispozicion është afati i duhur dhe plotësisht i realizueshëm për të marrë apo nisur bisedimet për anëtarësim në qershorin e vitit tjetër. Natyrisht, në maj do të zhvillohen zgjedhjet për në Parlamentin Europian, është e vështirë sot të parashikosh se si do të jetë panorama politike, apo ndarja e forcave brenda Parlamentit Evropian, çfarë komisioni të ri do të kemi deri në fundin e vitit 2019, çfarë dhe si do të jetë ndarja e portofolave kryesore brenda radhëve të BE në kushtet kur sot për sot duket se ka vështirësi për kompromis mbi elementet themelorë të BE dhe politikave të saj. Po mendoj që ne duhet të jemi të përqendruar për t’i shtuar dhe kapacitetin politik këtij procesi. Nuk më takon mua të komentoj deklaratën ,as të Presidentit të republikës dhe askujt tjetër, po mendoj që secili mund të japë kontributin në këtë proces se analistë ka me bollëk, pavarësisht faktit se cilësia e tyre nuk është gjithmonë ajo që ne mund të dëshirojmë dhe nxitëse dhe për qeverinë dhe për politikën. Por mendoj që është rasti që gjithë aktorët politikë të kontribuojnë në këtë proces.

Balla: Rimë te kjo pikë.

Si e shpjegoni që… për shembull unë lexova dy deklarata të Ilir Metës dhe të Ambasadës amerikane. Totalisht të ndryshme në tonalitetet e tyre…

Bushati: E thatë drejtë, Ambasada ishte optimiste në deklarimet e saj

Balla: Po por nuk ju tha përgëzon, ndërkohë fjala përgëzim në deklaratën e Metës nuk ekzistonte. Dje dëgjuam Mogherinin një deklaratë shumë fortë pro, entuziaste. Nga ana tjetër dëgjojmë deklarata e opozitës sot. Pra, si e shpjegoni këtë ndryshim total të atmosferës në deklarata të faktorëve politik joqeveritar këtu tek ne dhe të themi faktorëve të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtar dhe çfarë sinjali mund të jetë kjo për klimën që e pret vendin në këto 12 muaj deri në qershorin 2019.

Një nga gjërat kryesore që kërkon Brukseli është dialogu stabël dhe i qëndrueshëm politik mes palëve në vend.

Bushati: Absolutisht, zoti Balla për fat të keq aktorët politikë dhe institucional kishin vendosur një bast në këtë proces, dhe e lidhën këtë proces për fat të keq me fatin apo avenirin politik të Edi Ramës dhe kësaj qeverie. Ishte gabimi më i madh, një gabim trashanik se ky proces ka lidhje me të ardhmen e vendit tonë e shqiptarëve kudo jetojnë e për fat të keq edhe sot duket që ende nuk kanë dalë nga një lloj kllapie, sepse mjafton të lexojnë qëndrimet e deklaratat e tyre dhe kuptohet se cili ka qenë pozicioni i tyre real në këtë proces. Në ditët e kaluara ne jemi njohur me deklarimet e kryetarit të PD-së, Basha që thoshte Bundestagu e bllokoi Shqipërinë po jo Maqedoninë, ndërkohë që ministri gjerman ka qenë ndër më aktivët për të siguruar dritën e gjelbër si për Shqipërinë dhe për Maqedoninë.

-Për shembull fakti që Holanda që ju e asocioni shpesh me Lul Bashën ishte kaq shumë kundër. Mund të ketë ndonjë arsye? Edhe lokale mund të themi?

Bushati: Arsyet e Francës dhe Holandës janë shumë më tepër arsye të brendshme. Le të mos harrojmë lëvizja En Marche , ende nuk është një parti politike e certifikuar në kuptimin e mirëfilltë të fjalës dhe frika kryesore qëndron te rrymat dhe idetë populiste që mund të shkatërrojnë jo thjesht procesin e zgjerimit por të ardhmen e projektit europian, prandaj Franca është shumë e kujdesshme dhe deri diku e ngurtë në lidhje me këtë proces. Macron ka folur dhe shpalosur filozofinë e tij që është në favor të thellimit të projektit europian dhe pastaj zgjerimit.

– Deklarata e Bukureshtit apo jo?

Bushati: Po kështu në Holandë ka maxhorancë shumë të brishtë. Rutte është me vetëm një deputet më tepër se opozita dhe tradicionalisht Holanda nuk ka qenë një vend mbështetës për sa i përket procesit të zgjerimit, kujtoj këtu rastin e kushtëzimeve me Kroacinë,. Serbinë, Bosnje Hercegovinën dhe qëndrimit krejt të njohur me Turqinë. Dhe në dhjetor të 2013 kur ne përgatiteshim për të marrë statusin e vendit kandidat Holanda kishte qëndrim të kushtëzuar e kritik se vendet anëtare të BE. Po kjo është logjika e funksionimit të vetë BE dhe ne duhet të mësohemi. Ka vende që çështjet dypalëshe përpiqet t’i vendosin në tryezë, ka vende që çështjet e brendshme përpiqen t’i ekspozojnë në procesin e zgjerimit, si dhe ne kemi dinamikën tonë politike. Ju me të drejtë analizuat deklarime të ndryshme, zgjedhjet e tjera që do të jenë lokale në qershor që unë shpresoj që nuk do ta tensionojnë.

Mos e keni bërë me qëllim këtë ju z. Bushati që të hapen negociatat kur ju të jeni në fushatë? Apo jo, s’ka lidhje?

Zgjedhjet lokale vetëm në 2015 i kemi konsideruar administrative dhe jo test politik, të njëjtat do jenë dhe në 2019.

 Kam një pyetje çka duhet realisht të ndryshojë qeveria, që ne ta meritojmë këtë himnin që po dëgjojmë? (Në sfond himni i BE-së)

Bushati: Ne do të vazhdojmë të thellojmë kursin e reformave. Po të shohim çështjet që konsiderohen sfiduese para nesh nuk janë çështje të ngushta në kuptimin e ekzekutivit, duhet të vijojë dizenjimi i të gjitha institucioneve të reformës në drejtësi dhe këtu bashkë me opozitën është i rëndësishëm dhe unë shpresoj shumë që opozita duhet të japë kontributin, nuk do të jetë bllokuese si deri tani në zbatimin e reformës në drejtësi.

Së dyti, mendoj se duhet të kemi më shumë besim qoftë ne si qeveri dhe opozita te institucionet që do të ngrihen, për të shkuar deri në fund rasteve kur ka akuza publike apo akuzë të ngritur nga ana e Prokurorisë për të lënë institucionet të thonë fjalën e duhur dhe për të pasur raste me bindëse, që jo thjesht përmirësojnë imazhin tonë po rrisin besueshmërinë e qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi në shtetin e së drejtës. Dhe së fundi, jo më pak e rëndësishme, ajo çka po bëhet në fushën e turizmit nga ana e qeverisë jam i bindur që në 8 apo 10 vitet që do të vijnë do të japë impakt pozitiv për imazhin e vendit tonë se në disa raste ne si politikanë apo aktorë publik, jemi shkaktarë kryesorë të imazhit problematik që ne ende kemi.

– Zoti ministër i Jashtëm dhe ai i Çështjeve të Europës, zoti Luan Rama tha se nëse do të kisha përballë Ditmir Bushatin, do i thoja jep dorëheqjen. Cila është përgjigja juaj për të?

Bushati: Unë do t’i uroja zotit Rama shumë fat dhe sukses në politikë se është një nga themeluesit e partisë që sot për sot militoj. E di që në të shkuarën ka dhënë dorëheqjen për një arsye ndoshta dhe më të fortë, po ky nuk është rasti.

– Ditmir faleminderit!
– Faleminderit!