Arkeologu i njohur, Neritan Ceka, shfaqet si mbështetës i linjës së origjinës pellazgo-ilire të shqiptarëve.

Ceka ka sjellë këtë argument, ndonëse ky nuk mbështetet me dëshmi arkeologjike pellazgjike në Shqipëri, edhe kur ai vetë pranon që pellazgët dhe ilirët mbeten dy kufiza të panjohura.

“Mendimi tij është i thjeshtë, pellazgët janë paraardhësit e ilirëve; shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve, kjo është triada të cilën nuk mund ta kundërshtojë askush, por janë të rrallë ata të cilët e atakojnë mënyrën, mjetet, të themi, metodologjinë për ta zgjidhur këtë trinom, ku kemi një të njohur të vetme dhe ky është elementi ai shqiptar; dy të tjerat ilirët dhe pellazgët mbeten gjithmonë në diskutim qoftë të gjuhësisë dhe qoftë të arkeologjisë” deklaroi Ceka.

Këtë deklaratë, arkeologu Ceka e ka bërë në ceremoninë e promovimit në Akademinë e Shkencave të monografisë “Mbi mitologjinë dhe fenë e maqedonasve të vjetër” të Arsim Spahiut.

Sipas vetë Spahiut, ky botim provon qartë se pellazgët shumë kohë para helenëve kanë pasur epopetë e tyre, të cilat, akejtë i kanë përvetësuar dhe shndërruar në epope kombëtare të Greqisë.

Pjesëmarrës në promovim ishin studiues dhe personalitete të njohura të historisë dhe arkeologjisë shqiptare, të cilët kanë referuar mbi librin e Arsim Spahiut.