Pas dëgjesave të zhvilluara nga kryebashkiaku Veliaj me artistët, aktorët, arkitektët dhe urbanistët për Teatrin Kombëtar, thuajse të gjithë ata janë shprehur pro ndërtimit të një godine të re, e cila të plotësojë të gjitha kushtet e nevojat e tyre.

Pika ku të gjithë artistët kanë kërkuar vëmendje ishte mosprekja e tokës ku ndodhet aktualisht Teatri Kombëtar, për të cilën kanë marrë premtimin e kryebashkiakut Veliaj: “Nuk do të preket në asnjë centimetër të saj”, shkruan ai në një postim në Tëitter.

Çka do të thotë se ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar tashmë ka marrë edhe bekimin e aktorëve dhe artistëve, qëndrimet publike të të cilëve po ju’a rikujtojmë edhe një herë.

Robert Ndrenika
E vërteta është se Robert Ndrenika nuk ka qenë asnjëherë kundër ndërtimit të një teatri të ri dhe dinjitoz. Ajo që unë kundërshtoj është tjetër gjë: është përvetësimi i asaj toke nga kushdoqoftë.

Alfred Trebicka
Kush është ai që s’do një teatër të ri? Por, problemi është tek territori. Nëse nuk cenohet ai… Edhe në qoftë se bëhet teatri tërësisht i ri, pjesa e muzeut të teatrit duhet të ekzistojë se pastaj s’ka kuptim.

Luftar Paja
Jam për Teatër të ri Kombëtar me të gjitha përmasat që i takojnë një vendi. Që të kemi këtë teatër ne si artistë harrojmë gjënë kryesore dhe merremi me llaçin dhe tullat, ka kush merret me to. Ne duhet të shtojmë llaçin dhe tullat artistike.

Artan Imami
Mua nuk më zë gjumi nga qejfi se do të bëhet një teatër i ri modern, në vend të këtyre pamjeve të tmerrshme që janë në gjendje aktuale.

Genc Fuga
Jam pro ndërtimit të një teatri të ri, duke ruajtur territorin dhe ç’është më kryesorja, duke negociuar shumë fort për këtë pasuri, mbase jo të teatrit në vetvete, jo të ministrisë në vetvete, por këtë pasuri tonën.

Ema Andrea
Unë jam për ndërtimin e një godine të re. Godina quhet vlerë kombëtare dhe jo tulla e llaç. Unë di që nuk do preket sipërfaqja e Teatrit Kombëtar dhe do ndërtohet një sallë e madhe me kushtet që kërkon një teatër si dhe dy salla eksperimentale.

Zamira Kita
Teatri i ri duhet ndërtohet që artistët të kenë më shumë ambiente të reja e moderne në funksion të tyre. Vetëm një rikontruksion i teatrit aktual nuk mjafton për t’u ofruar artistëve hapësirën që iu nevojitet.

Marjana Kondi
Kjo gjendje shton nevojën për të kërkuar një teatër të ri, të mirëmbajtur, me të gjithë elementët teknik, si hapësira skenike, akustika, numri i sallave, elementët audio dhe ndriçim, kapacitet të lartë të vendeve për publikun, ambiente bashkëkohore pune për aktorët. Dhe këtë se kërkoj për vete por për gjeneratat qe do vijnë

Laert Vasili
Shumica e aktorëve kërkojnë teatër të ri. Unë jam për një teatër të ri. Nuk ke çfarë t’i bësh rikonstruksionit të godinës, kur dhomat e zhveshjes së aktorëve kemi frikë të hyjmë se dyshemeja prej druri mund të rrëshqasë.

Kastriot Çaushi
Duhet të kishe kujdes kur kaloje nga një anë e skenës në tjetrën, godina është e amortizuar, spektatori i rregullt ka ftohtë në dimër e vapë në verë. Ndaj, dua patjetër një Teatër të ri për qytetin dhe vendin tim.

Suela Konjari
Ju ftoj të gjithëve, veten time të parën, ju dhe gjithë kolegët e mi, edhe specialistë, që t’i tejkalojnë bindjet partiake, është teatri mbi partitë.

Erion Isai
Shqipëria ka nevojë për një Teatër të ri Kombëtar. Jam për një teatër dinjitoz.

Gëzim Kame
Të mos abuzohet në asnjë moment me historinë ose me faktet. Edhe Kadri Roshi thoshte: Aman more na bëni një teatër të ri. Ishte ëndërr e të gjithë aktorëve sepse që në ’46 ka qenë barakë atje

Altin Basha
Në kushtet kur ju (arkitektët) thoni që struktura e teatrit, themelet nuk mbajnë, flasim për gjëra të parikuperueshme, njeriu ndalet dhe nuk mund të bëjë oponencë me një gjë të cilën nuk e njoh.

Armando Bora
Unë jam i mendimit që rikonstruksioni është i vështirë, disi e pamundur për t’u bërë një gjë e tillë, dhe pa dyshim zgjidhja vete tek një projekt i ri për Teatrin.

Gazmend Paja
Jam pro teatrit të ri, respektoj maksimalisht legjendat që kanë kaluar dhe janë gjallë, por jam natyrë që e dua zhvillimin edhe për ata që do vijnë pas nesh.

Kiço Londo
Padyshim që jam për Teatrin e ri, i kam thënë mendimet e mia dhe do të vazhdoj ti them por dua të di ku është teatri kombëtar eksperimental.

Petrit Malaj
Unë nuk do t’i kuptoja ndonjë nga kolegët tanë që të ishte kundër teatrit të ri bashkëkohor. E para, aty nuk do të cenohet trualli i Teatrit Kombëtar, dhe e dyta, do bëhet një godinë për teatrin, vetëm për teatrin.

Gent Hazizi
Ky vulgaritet sjelljesh mes nesh dëmton kauzën e drejtë për një Teatër dinjitoz, profesional, identifikues./Lexo.al/