Nga ushtari tek gjenerali, sa do rriten rrogat sipas gradave

0

Ushtarakët e të gjitha niveleve do të marrin nga marsi 2017 shtesën e pagës, e cila varion nga 2 deri në 7 mijë lekë sipas gradave. “Gazeta Shqiptare” publikon sot tabelën me rritjen e rrogës për çdo ushtarak. Me këtë ndryshim, paga mesatare shkon nga 44 mijë në 48 mijë lekë të reja. Pak ditë më parë, kryeministri Rama premtoi se në të ardhmen mund t’ua rrisë edhe më shumë pagat anëtarëve të Forcave të Armatosura. “Jemi në momentin midis një rritjeje 5-7% të rrogës për ushtarakët, që në këndvështrimin tim nuk është mjaft, dhe një rritjeje 8-10%, që është paralele si rritja për gjithë të tjerët. Po themi gjithë të tjerët lart, jo gjithë të tjerët poshtë”, – tha Rama.

Gjatë takimit me ushtarakët, kryeministri tha: “Kjo është beteja, dhe unë kam shumë shpresë që brenda kësaj periudhe kur kalojmë nga diskutimi i buxhetit në parim, në diskutimin e buxhetit zë për zë, ne do arrijmë që ta akomodojmë edhe këtë pjesë për ushtarakët në këto nivele. Pra, të mos kenë një rritje më të ulët sesa ajo e punonjësve të policisë apo sesa ajo e mësuesve apo e mjekëve dhe infermierëve”. “GSH” publikon sot tabelën e rritjes së pagave, të propozuar për një rritje mesatare të pagave të ushtarakëve nga 5-7%. Sipas llogaritjes së bërë, përfitojnë gjithsej 6.750 ushtarakë. Shuma e akorduar nga buxheti i shtetit për rritjen e pagave është 350 milionë lekë.

E ndarë kjo sipas gradave, do të ketë rritje page nga 2.200-7.850 lekë në muaj. Sipas tabelës së detajuar, nga rritja përfitojnë 7 ushtarakë të lartë, në shumën 40 milionë lekë dhe 6.746 ushtarakë të tjerë, në shumën 310 milionë lekë. Pagesa mesatare mujore e ushtarakëve, nga 44.870 lekë që ishte, tashmë bëhet 48.014 lekë. Një gjeneral tashmë do të marrë një shtesë page mujore nga 5.900-7.850 lekë, një major kolonel do të ketë rritje nga 4.580-7.000, një nëntoger kapiten do të marrë nga 3.402-3.990 lekë më shumë në muaj. Nënoficerët do të kenë shtesë page nga 2.800- 4.081 lekë në muaj, ndërsa ushtarakët aktivë do të kenë shtesë 2.200-2.700 lekë në muaj. Kjo llogaritje vlen për rritjen nga 5-7%. Nëse do të vendoset në buxhetin e ri që rritja të jetë nga 8 deri në 10%, shifrat sipas kategorive pritet të jenë edhe më të larta.

BUXHETI AFATMESEM
Në tri vitet e ardhshme qeveria ka vendosur të rrisë pagat e buxhetorëve. Fondi i parashikuar për zërin “Politika të reja pagash” është parashikuar në masën 4.5 miliardë lekë për tre vjet, për harkun kohor 2017-2019. Për vitin 2016 nuk ka fond të parashikuar për këtë zë, çka do të thotë se gjatë këtij viti nuk ka një fond të dedikuar për rritjen e pagave. Sipas tabelës fiskale të publikuar nga Ministria e Financave, mësohet se për vitin 2017, fondi në zërin “Politika të reja pagash” është përcaktuar 1 miliard lekë; për vitin 2018 një fond prej 1.5 miliardë lekësh, ndërsa për vitin 2019, fondi është 2 miliardë lekë. Ndërkohë që nuk është ndjekur e njëjta politikë për pensionet. Kështu, nga viti 2016 deri në vitin 2018 nuk ka asnjë fond për rritjen e pensioneve, por në buxhetin e këtij viti është parashikuar vetëm indeksimi i tyre. Ndërsa për vitin 2019 është parashikuar një shumë prej 1.4 miliardë lekësh. Fondet pritet të rishikohen për çdo vit buxhetor, ku do të përcaktohen edhe kushtet e kriteret mbi të cilat do të aplikohet rritja e pagave. Pagat për buxhetorët do të rriten në mënyrë të diferencuar. Fondi për rishikimin e pensioneve është parashikuar në vlerën 1.1 miliardë lekë. Rritja e pensioneve, e cila pritet të jetë sa indeksimi i inflacionit, do të kryhet në korrik./GSH/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU