“Volumi më i madh i investimeve për rrugët do të garantojë transformimin shembullor të tyre si edhe rritje të ndjeshme të ekonomise e të punësimit”.

Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, kryeministri Edi Rama sjell në vëmendje disa prej projekteve madhore të infrastrukturës rrugore, që do të ndërmerren gjatë këtij mandati qeverisës.

“Mirëmëngjes dhe me këtë pasqyrë të programit të infrastrukturës kombëtare, që nis këtë vit realizimin e volumit më të madh të investimeve për rrugët e vendit brenda një mandati qeverisës, duke garantuar një transformim shembullor të tyre si edhe rritje të ndjeshme të ekonomisë e të punësimit, ju uroj një fundjavë të qetë”, shkruan Rama.

Së shpejti, nis puna për një sërë veprash infrastrukturore me standarde europiane, ndër të cilat edhe rruga e Arbrit, që shkurton distancën mes Tiranës dhe Bllatës në vetëm 74 km.

Po ashtu, aksi Kardhiq-Delvinë shkurton distancën Tiranë-Sarandë me 3 orë dhe afron Gjirokastrën me bregdetin.

Një tjetër projekt i rëndësishëm është edhe bypass-i i Tepelenës, që rrit standardin dhe shkurton rrugën nga Levani deri në Gjirokastër e Kakavijë.

Në kryeqytet vijon projekti me 5 lote i Unazës së Madhe dhe segmenti nga Shkolla Teknologjike te sheshi “Shqiponja”. Po ashtu, vijojnë punimet edhe në pjesën fundore të Lanës deri në Farkë.

Një tjetër vepër e rëndësishme është aksi Thumanë-Kashar, që shkurton distancën dhe lehtëson trafikun në një prej akseve më të rënduara.

Në jug, do të realizohet rruga Orikum-Llogara, nga porti i jahteve në Orikum deri në Llogara, për t’u lidhur me Himarën përmes një tuneli.

Një tjetër projekt i rëndësishëm është edhe rruga Milot-Balldren.j.j