Rruga Fier-Levan do t’i nënshtrohet nesër rikonstruksionit, ku do të riparohen shtresat asfaltike.

Në një njoftim për shtyp Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore bëjnë të ditur se “… në vijim të ndërhyrjes emergjente për riparimin e shtresave rrugore dhe asfaltike në aksin Fier-Levan, në kuadër të projektit të mirëmbajtjes me performancë të Bankës Botërore do të fillojë nesër në orën 06:00 të mëngjesit, rehabilitimin e segmentit nga rotondo ish-parku, rruga “Vëllezërit Semanjaku, rruga “Nuredin Aliu” deri te rotondo ish-QTU (Qendra GOLD) Fier”.

ARRSH dhe Policia Rrugore kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë aks rrugor.

Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor në bashkëpunim me bashkinë Fier, është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.
Devijimi i trafikut në drejtimin Fier-Levan (Vlorë, Gjirokastër) dhe anasjelltas fillon nesër, datë 14 qershor, në orën 06:00.

“Lëvizja e automjeteve në drejtimin Tiranë-Levan, do të devijohet në hyrje të qytetit të Fierit, në sheshin Egnatia (ose rrethrrotullimi Sheq), më pas do të vijojë në rrugën “Skënderbeu”, në rrugën “Harilla Bozdo”, Stacioni i Trenit (Terminali), rr. “Llukan Toska” dhe do të kthehet në rrugën “Kujtim Majaci” për t’u lidhur përsëri me rrugën nacionale (Unaza Perëndimore e Fierit)”, theksohet në njoftimin për shtyp.

Automjetet që do të vijnë nga Vlora dhe Gjirokastra drejt Tiranës do të kthehen majtas në rrugën “Kujtim Majaci” dhe do të lëvizin në po të njëjtin drejtim si më lart, deri në rrethrrotullimin Sheq, ku lidhen përsëri me rrugën nacionale.

Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë me njësi të përqëndruara në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut.

ARRSH dhe Policia kërkojnë nga drejtuesit e mjeteve që të respektojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikën provizore të vendosur në segmentet ku do të punohet dhe udhëzimet e policisë rrugore që do të jetë në terren.

Pas përfundimit të ndërhyrjes në segmentin Fier–Levan, do të fillojë ndërhyrja në segmentet e tjera për të cilat ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor do të përditësojnë skemat e lëvizjes dhe informojnë opinionin publik.j.j