Nisin negociatat për “Brexit”, David Davis: Takim pozitiv

0

Kryenegociatorët e BE-së dhe Britanisë për “Brexit”-in nisën bisedimet të hënën, duke nënvizuar nevojën për të sqaruar menjëherë paqartësitë në proces, e gjithashtu qëndrimet konstruktive të tyre për arritjen e një marrëveshjeje që do të jetë në të mirë të të gjithëve.

Duke folur në ditën e parë të bisedimeve në Komisionin Europian, ministri britanik për “Brexit”-in, David Davis tha se Londra donte një marrëdhënie të thellë dhe të veçantë me BE-në pas divorcit, e se ai do t’i drejtonte bisedimet me tone konstruktive.

“Ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa na ndajnë, ndaj, ndërsa na presin padyshim kohë sfiduese në negociata, ne do të bëjmë gjithçka mundemi për të garantuar një marrëveshje që do të jetë në interesin më të mirë të qytetarëve”, tha David Davis, Sekretari britanik për “Brexit”.

Davis shtoi se tonet e negociatave do të ishin pozitive dhe se qëllimi final ishte ndërtimi i një partneriteti të fortë.

Ndërkohë, kryenegociatori i BE-së Michel Barnier tha se, shpresonte që bisedimet – që fillojnë thuajse një vit pas referendumit për daljen nga BE-ja, – do të zhvilloheshin mbi bazën e një axhende të qartë.

“Objektivi ynë është i qartë. Ne duhet të luftojmë fillimisht pasiguritë e shkaktuara nga Brexit, kryesisht për qytetarët, por edhe për politikat e BE-së dhe pasojat mbi kufijtë, veçanërisht për Irlandën. Shpresoj që sot të mund të identifikojmë prioritetet dhe afatet kohore”, tha Michel Barnier, negociatori i BE-së për “Brexit”-in.

Zyrtarë nga të dyja palët kanë ulur pritshmëritë për atë që mund të arrihet, të paktën në një ditë. Diplomatët e BE-së shpresojnë se ky takim i parë dhe samiti i së enjtes e së premtes, ku do të jetë e pranishme edhe Theresa May, si pjesëmarrëse e jo si negociatore, mund të përmirësojnë atmosferën pas tensioneve të fillimit.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU