Anri Bala/ 

Jeni të gjithë indiferentë, të poshtër e të pakujdesshëm për fatin e vendit. Qani hallin e Kosovës, se çfarë do të bëj Thaçi, Vuçi, Daçi e Maçi… duke e ditur mirë, se nuk do ndodhë asgjë, shtyni kohën e ngroheni në diell me përralla… që pëlqehen nga fallxhoret!

Mirëpo nuk e kuptoni, se lehjet e shumta të tufave, nuk sjellin asgjë, vetëm se tendosje zinxhiri, para, mbrapa dhe çfarë zinxhiri, nga ato, që as me të nxehtë nuk këputen. Këtë sorollatje, e bëra vetëm për t’iu thënë, se kemi një hall më të madh, se sa një sherr mes të parit të Kosovës dhe ish të “parit” të Kombit.

Dua, nuk dua unë, ish-in nuk i’a heq dot dhe as nuk i’a mohoj dot. Kjo grindje, pra nisi mes atij që është, e atij që nuk është më, ai që ka qenë… fatmirësisht. Si nuk keni turp dhe nuk shqetësoheni për Berishën dhe shqetësoheni për kufijtë e botës. që doni të lëvizni ju, si gurë dame, vetëm me shpellën tuaj… gojën?!

Vërtet jeni të qetë, apo nuk e kuptoni, se ai është i sëmurë?! Këtu, nuk flitet se është sëmurë një çfarëdo, por Sali Berisha, që edhe kur ka qenë ca më mirë, na ka bërë gjëmën… ne dhe Kosovës. Sali Berisha, që edhe kur u rrëzua nga pushteti, që i hipi si kalorësi kalit mbrapshtë, duke u mbajtur nga bishti, i’a doli të jetoi dhe mbretëroi… përsëri. Pra tani, është e domosdoshme të mos merremi me hallet e dynjasë, por me hallin tonë. Një “doktor” për Doktorin, do i bënte punë atij, por… edhe neve!

Çekuilibrimin mendor, ai e tregoi vetë pa mbulesë, por ju jeni qorra, nuk doni ta shikoni. Ëndrrat sikur vjen në pushtet… duke ndjerë edhe vetë habi, se do ta kthej Sheshin Skënderbej në një kartodrom, Lanën dhe parkun Rinia do t’i mbush me kioska dhe bare, Edi Ramën do e tërheq zvarrë dhe rreth e rrotull, një tufë me gomar, që ëndërrojnë gjemba… në bulevard, ai e përsërit çdo ditë. Mirëpo, asnjë nuk i thotë Doktorit… vizitohu!

Pas përplasjes së madhe, që i ka kaluar “kufijtë”, Doktori duket më rëndë. Në vitin 2011, ka qenë kryeministër, mirëpo… kishte harruar. Bile edhe nëse i kujtohet, ai ishte i sigurtë, që Ministrja e Mbrojtjes… sipas tij, kishte qenë Mrika. Në të vërtet, Ministër Mbrojtje, ka qenë Mriku-armiku, ai që në ’97 i hypi tankut dhe u drejtua drejtë Tiranës, për ta tërhequr zvarrë, ai… Beni i Imamit.

Kjo, siç duket, ja ka fshirë nga kujtesa Ministrin e tij të Mbrojtjes, duke i ruajtur tankistin e protestave. Ndaj, mendja e çoi te “Mrika”, që të them të drejtën, Mimi Kodheli ka qenë ministre nga 2014. Duke u paraqitur si oficeri digjital, Doktori njofton skandalin e madh, kur shefi i  Misionit “CUBIK”, në atë kohë, N/kolonel Lu Boros, ishte përzënë nga… Kodheli, pikërisht në vitin 2011 dhe propozimi prej 45 faqesh, rrinte në sirtar.

Këto janë simptoma të një skleroze të rëndë. Por atij, i kujtohet Syrjai, që shiti shtatë objekte në aeroportin e Kuçovës dhe u dërgua për ndjekje penale, por fal “drejtësisë”… shpëtoi dhe është Saliu në emër të Syrjait apo Syrjai në emër të Saliut, që duhet të kurohet, për lajthitjet me data, ditë, emra dhe fakte. E vërteta është, se N/kolonel Lu Boros, ka qenë me mision në 2011, kur Arben Imami u akuzua për shkatërrimin dhe shitjen e bazës dhe avionëve për skrap e parking, tek një kompani turke. Bile, ishte Imami si negociator i kësaj afere, pas vizitës së ish Ministrit turk të Mbrojtjes, Ylmaz, në Kuçovë.

Kjo ishte lajthitja e Berishës, apo e Syrjait, e publikuar nga Berisha si skandal, më 6 gusht, por dikush e pickoi dhe e zgjoi pak, sa edhe Berisha e harroi skandalin, por mori mangallin me tym e me prush, për të treguar të vërtetën numër 2, në datën 7 gusht, ku pranon me sa i kujtohet, që “në 2011 me një kompani serioze amerikane “CUBIK”, që në vjeshtë filluan parapërgatitjet, për zbatimin e tij (pazarit për aeroportin) por nuk u realizua, se banorët protestuan me portretet e Enver Hoxhës dhe qeveria burgosi Gjeneralin Syrja Gjokaj. 

Ne e filluam… ata na ndaluan… kompania Cubik… qeveria… Syrjai i burgosur… një mishmash prej anormali. Nuk bëhet fjalë se dëshiron, por  skleromani gënjen padashje… nga sëmundja, sepse CUBIK është mision ushtarak dhe në 24 orë dy lajthitje, tregojnë për një goditje të rëndë të shëndetit të Doktorit, që duhet ndihmuar… për të mos na dëmtuar!

Lëreni Hashimin e kufirin, por shikoni Doktorin, se do pendoheni kur t’ia kaloi dhe vampirit… sipas Pekut në shtator!