Një grua e sëmurë me kancer të gjirit në fazë të avancuar është shëruar plotësisht falë terapisë me qeliza imunitare të vetë pacientes.

Limfocitet T të gruas kanë arritur të eliminojnë plotësisht tumorin dhe metastazat, duke ofruar një shans për kurë atje ku terapitë tradicionale kanë dështuar.

Terapia është ndjekur nga Steven Rosenberg i Institutit Nacinal të Shëndetit në Bethesda, Maryland, dhe rezultatet janë publikuar në revistën “Nature Medicine”.

Pacientja në fjalë nuk ka shenja të tumorit prej 2 vitesh.

Kjo është hera e parë që imunoterapia e qelizave T aplikohet me sukses në kancerin e gjirit në fazë të avancuar.

Janë dy strategjitë më efikase të luftimit të kancerit përmes imunoterapisë.

Njëra bazohet në përdorimin e qelizave imunitare të pacientit direkt në trupin e tij nëpërmjet ilaçeve, ndërsa tjetra në përdorimin direkt të këtyre qelizave.

Në rastin e dytë, limfocitet T të pacientit izolohen nga gjaku apo nga tumori dhe më pas onkologët seleksionojnë vetëm qelizat mbrojtëse të afta për të njohur dhe sulmuar neoplazinë.

Limfocitet T specifike për tumorin kultivohen në epruvetë dhe injektohen sërish në trupin e pacientit.

Në rastin e gruas në fjalë, qelizat T arritën të eliminojnë tumorin dhe metastazat.

Ekspertët e onkologjisë janë optimiste për këtë lloj trajtimi në rastet e tumoreve të gjirit, megjithatë studime më të thelluara do të hapin dritare të reja për trajtimin e plotë të sëmundjes.(TemA TV)