Nga Mimoza Hafizi/

Lidhur me një informacion të gjymtuar qëllimshëm, i cili ka qarkulluar sot në media, për detyrimet që Partia Libra ka në pagesën e qirasë se selisë së saj nga periudha 1 Nëntor 2016 deri më 1 Nëntor 2017, sqaroj se :

· Partia Libra ka patur një kontratë të rregullt qiraje, të nënshkruar nga Administratori i Partisë dhe Qiradhënësja, për përdorimin e selisë së saj në adresën Rruga Sami Frashëri, Nr. 5 (bashkëlidhur kontrata).

· Kontrata është pranuar të nënshkruhet nga Qiradhënësja vetëm me kushtin që një person tjetër, me mundësi financiare, të hynte garant se pagesa do të kryhej. Z. Hasan Hafizi ka pranuar të jetë garanti i kësaj kontrate (bashkëlidhur akt-marrëveshja).

· Përgjatë disa muajve, në vitin 2017, kjo Parti ka mundur të paguajë vetëm tatimin mbi qiranë, pasi të ardhurat nga kuotat e anëtarësisë nuk kanë arritur të mbulojnë pagesën e qirasë, detyrim ndaj Qiradhënësit.

· Z. Hasan Hafizi, në cilësinë e garantit të kontratës dhe në situatën e mospagesës nga Partia Libra, ka qenë i detyruar ta realizojë vetë këtë detyrim.

· Kjo pagesë nuk ka qenë asnjëherë e deklaruar si kontribut vullnetar. Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, neni 89.2, thotë shprehimisht se « Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor nuk mund të jetë më e madhe se 1 milionë lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime ». Çdo pretendim ose tentativë nga kushdo për ta konsideruar pagesën e qirasë së Libra-s si kontribut vullnetar, është në shkelje të ligjit. KQZ duhet të kontrollojë deklaratat e kontributeve vullnetare të kësaj force politike.

· Z. Hasan Hafizi ka kërkuar kthimin e këtij detyrimi atëhere kur Partia Libra e ka patur të mundur, sepse financohet nga buxheti publik me një shumë që e kalon ndjeshëm shifrën e qirasë së selisë Libra.

Dua të informoj gjithashtu se, bashkë me një grup themeluesish dhe anëtarësh të Partisë Libra, prej disa muajsh kemi nisur një proces gjyqësor ndaj akteve të rënda antiligjore të kryera nga një grusht njerëzish që kanë uzurpuar këtë Parti. Gjyqi është në proces.

Ju bëj me dije se ndërkohë, Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë Nr. 1630 (bashkëlidhur), datë 23.02.2018, i cili ka marrë formë të prerë me datë 23.05.2018, provon ligjërisht se organi « Bërthamë », që deklarohet si udhëheqës i organizatës, i « zgjedhur » në mbledhjen e një « Forumi », është vetëm një grup njerëzish të paligjshëm, që kanë rrëmbyer vulën e organizatës.

Për këtë arsye, i kam bërë thirrje pjesës së mbetur nga të zgjedhurit e ligjshëm në Libra që të marrin e të ushtrojnë kompetencat dhe detyrimet e tyre ligjore. Unë nuk mund t’i ushtroj përkohësisht këto kompetenca, sepse jam përjashtuar nga kjo organizatë përmes një vendimi, për të cilin po provoj paligjshmërinë në gjykatë dhe jam ende në proces.