Reforma e Deregulimit po jep efektet e saj pozitive.

Tashmë, asnjë certifikatë nuk merret nga Zyrat e Gjendjes Civile, pasi ato ofrohen nga institucionet shtetërore në formë elektronike, duke eliminuar radhët dhe vuajtjet për qytetarët dhe duke i dhuruar qytetarëve kohë të vyer.

Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda dhe Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj, në kuadër të procesit të deregulimit, zhvilluan një takim me përgjegjësit e Zyrave të Gjendjes Civile në Prefektura dhe Nënprefektura.

Voda dhe Drejtori Doracaj kanë përcjellë porosinë e prerë që zyrat e gjendjes civile të mos lëshojnë asnjë certifikatë personale apo familjare, pasi institucionet shtetërore kanë detyrimin t’i lëshojnë vetë këto dokumente.

Me iniciativën e Qeverisë shqiptare, veprimtaria e Drejtorisë së Përgjithshme e Gjendjes Civile, si dhe institucioneve të tjera shtetërore që ofrojnë shërbime është orientuar drejt shërbimit elektronik, nëpërmjet portalit unik E-albania, përfitues të të cilit janë institucionet shtetërore dhe vetë individët, personat fizikë të regjistruar si përdorues të këtij sistemi./ATA