Nga Skënder Minxhozi/

Kreu i opozitës e kishte ruajtur me kujdes momentin për të hedhur në opinionin publik lajmin se një tjetër “Babale” po merr udhë nga zyrat e PD, drejt pazarit të madh të mediave, për të shkaktuar një tërmet të ngjashëm me atë të audio-përgjimit të përfolur të vëllait të ministrit Xhafaj. E gjitha kjo ndodhte kur mesa duket po bëhemi gati të mësojmë edhe zyrtarisht, se përgjimi në fjalë ka pasur aktorë në vend të Agron Xhafajt, duke rrezikuar të shfryjë zhurmshëm skandalin që mbajti gjallë pasionet politike në Shqipëri për rreth një muaj.

Lulzim Basha, Sali Berisha dhe përfaqësues të LSI kanë hedhur këto orë akuza të telekomanduara ndaj prokurorisë, në lidhje me vërtetësinë e verifikimit të audiopërgjimit Babale. Duket qartë se opozita po përgatitet që të krijojë një terren mosbesimi rreth përgjigjes zyrtare për përgjimin në fjalë.

Nga ana tjetër, Basha dhe të tjerë në PD kanë njoftuar se pas akuzave ndaj Xhafajt, po bëhen gati të bëjnë publike të tjera përgjime që thonë se kanë ndaj anëtarëve të qeverisë. Po shohim një opozitë e cila, më shumë sesa si forcë politike, po sillet si një media investigative. Një lloj Fiks Fare-je me kostum e kollare, e cila i ka rënë vizë rolit dhe misionit që ka si faktor madhor politik e social, me tezat, propozimet e vizionin e saj, e që sillet si një zyrë detektivësh.

Në fakt denoncimi i fakteve që kompromentojnë kundërshtarët politikë është një akt krejt i legjitimuar dhe i justifikueshëm në një sistem të hapur e demokratik. Demaskimi i aferave, korrupsionit e ryshfeteve në të gjitha instancat e qeverisjes, është një e mirë që i bëhet publikut dhe taksapaguesve. Por s’mund të jetë vetëm ky tagri dhe detyra e një opozite. Në rastin konkret, ashtu siç po shohim të shpaloset strategjia e opozitës në këtë drejtim, po ngjan se thuajse gjithçka në axhendën e të djathtës ka të bëjë eksluzivisht me akuzimin ekstensiv e të pandalshëm të disa emrave në qeveri, duke harruar politikat, ligjet dhe mënyrën sesi vetë qeveria drejton shtetin.

Teksa bllokojnë çdo të enjte Parlamentin, opozitarët shpërfillin hapur faktin që kreu i Kuvendit Ruçi aprovon me një të rënë të çekiçit e në mes të zhurmës e ilaritetit, ligje, marrëveshje, rezoluta e akte të tjera. Që të gjitha këto kanë një minus të madh qysh në krye të rrugës: nuk kanë oponencën e kualifikuar të opozitës në sallë. E njëjta gjë vlen edhe për komisionet, vendin ku rrihen idetë e debatohen qëndrimet që lidhen me taksat, politikat ekonomike, arsimin, shëndetësinë, politikën e jashtme etj.

Në vend që të kryejnë detyrën e tyre ndaj legjislacionit që marrin ndër duar, përfaqësuesit e opozitës shajnë e mallkojnë vëllain e një anëtari të qeverisë duke prishur seancat e parlamentit. Përfundimi?! Shihni çfarë ndodhi me nenin e famshëm 491 për ekstradimet, i diskutuar teksa opozita ndodhej në çadër, e që më pas shkaktoi një debat të zjarrtë politik! Duke mos u bërë pjesë e diskutimit dhe votimit të ligjeve, opozita ndodhet shpesh në pozitën kur akte të caktuara votohen e hyjnë në fuqi pa prezencën e kontributin e saj!

Një opozitë duhet të dijë të gjejë dhe të publikojë akuza për maxhorancën. Kësisoj ndërton reputacionin e saj publik dhe bind njerëzit se është më e mirë se ata që drejtojnë vendin. Por një opozitë që shpreson të vijë në pushtet vetëm duke bërë këtë gjë, pasi ka refuzuar të përmbushë me vullnetin e saj detyrimet dhe funksionet bazë që ka në një sistem politik, është larg kursit normal të përmbushjes së misionit që ka marrë përsipër kur është votuar. Babale nuk i nxorri nga shtëpitë shqiptarët në 26 maj. Mund të mos i nxjerrë as ditën e votimit, ashtu siç ka ndodhur sa herë ka pasur zgjedhje në pesë vitet e fundit, nëse Lulzim Basha do të vijojë t’i “marrë” vendin e punës Filip Çakulit, duke e lënë të varur në gozhdë kostumin e kryeopozitarit…