Pas 14 vitesh punë në “Vizion Plus”, Turjan Hyska vendosi të largohej për të nisur një rrugëtim të ri në karrierën e tij. Në një intervistë ekskluzive për ‘Tirana Post’, Turi ka treguar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen dhe në cilin televizion do ta shikojmë. Ai ka treguar se në televizionin ‘Klan’ do të nisë dy projekte të reja njëri që do të jetë një riprodhim i ‘Apartamenti 2XL’ dhe tjetrin nuk ka dashur ta bëjë publik.

Ndërsa përsa i përket punës si drejtor i përgjithshëm në ‘Klan Plus’ ai ka thënë: “Ndërkohë me ‘Klan Plus’ (i cili do të ndryshojë dhe emër), si drejtor i përgjithshëm pas premtimit të Sandër Frangajt shpresoj që të hyjmë fort në tregun e televizioneve gjeneraliste! Ky kanal nuk do jetë më një zgjatim i ‘Klan’ por një konkurrent i denjë në treg! Të paktën kjo është ambicia ime”. Gjithashtu Turi ka thënë se bashkë me të sigurisht që do të lëvizë dhe gjithë stafi i ‘Apartamenti 2XL’ duke qenë se ai është një produksion totalisht i tij.

Madje moderatori ka zbuluar se pas gjithë eksperiencave me emisione të ndryshme duke filluar nga fëmijët e deri tek VIP-at, tashmë ai preferon që të ketë një emision me njerëz të thjeshtë dhe beson se do t’i kthehet fort këtij lloj formati./Alpenews.al/j.j