Administrata britanike ka mirëpritur vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për sanksione ndaj Rusisë lidhur me rastin e helmimit të ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyra e Kryeministrisë britanike tha se Britania e Madhe mirëpret vendimin e aleatëve amerikanë për sanksione të reja.

“Reagimi i ashpër i bashkësisë ndërkombëtare për përdorim të armëve kimike në rrugët e Salisburyt, i dërgon porosi të qartë Rusisë se nuk do të injorohen veprimet e saj nxitëse dhe të rrezikshme”, thuhet në njoftim.

Pritet që sanksionet e SHBA-ve të fillojnë të zbatohen më 22 gusht ose në periudhën rreth asaj date, megjithatë detajet e sakta nuk bëhen publike.

Kujtojmë se në mars të këtij viti, Sergei dhe Julia Skripal, u helmuan me gaz nervor në qytetin anglez Salisbury. Për incidentin në fjalë, Qeveria e Britanisë fajësoi Rusinë.