Nga Artur Ajazi

Fill pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike, nuk dihet akoma se cili nga drejtuesit e saj “vizionarë” shpiku Plepat, kursin 6 mujor të “juridikësve të rinj”. Duke marrë nga rruga njerëz me profesione të tilla si tornitorë, axhustatorë, teknologë apo dhe agronomë, qeveritarët e postkomunizmit, i dërguan ata në Plepa të Durrësit, nga ku brënda 6 muajve i çertifikuan si “prokurorët dhe gjyqtarët e të ardhmes”, dhe i ndanë në të gjitha rrethet e vendit.

Në kursin e Plepave asokohe erdhën si fillim, jo pak por mbi 1216 persona, të cilët u seleksionuan dhe akomoduan në ish-kampin e Pionierëve, tek ish-kampi Punëtorëve dhe tek ish- Kavalishenca. Ishte viti 1993-1994, dhe pushteti i PD ishte pothuajse në kulmin e vet, duke statistikuar si arritje të madhe dhe sukses edhe “pergatitjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve të demokracisë”.

Dhe fiks pas afro 25 vitesh, armata që PD kishte pergatitur me shumë zell, për ti shërbuer për dekada interesave të kupolës saj drejtuese, prokurorët dhe gjyqtarët e Plepave, janë sot njerëzit më të korruptuar, më të akuzuar, më të diskredituar. Gjykatat dhe Prokuroritë e rretheve, madje deri strukturat e larta të organeve të drejtësisë, u mbushën asokohe me “kursantët e Plepave”, me ata që pasi kishin mbaruar me bodec shkollën e mesme, dhe pasi kishin punuar me vite në uzinat dhe fabrikat e vendit si punëtorë, u kishte ardhur koha të kollariseshin si gjyqtarët e demokracisë, pasi kishin ngritur dy gishtat lart.

Pasojat u ndjenë qysh muajt dhe vitet e para të punës së tyre, derisa në ditët tona Vetting-u u nxorri kallain, i diskreditoi si njerëz të lidhur me afera kriminale dhe korruptive. Pasuria e kursantëve të Plepave sot arrin në miliona euro, ata kanë dhjetra pallate, vila, lokale dhe qindra hektarë troje në det, liqen dhe mal. Kursantët e Plepave, apo “gjyqtarët dhe prokurorët e demokracisë”, janë sot përgjegjësit e qindra mijëra vendimeve antiligjore të dhëna në “Emër të Ligjit”, kundrejt milionave.

Vrasësit dhe elementë kriminalë të dalë nga burgjet në vite, mbajnë në vendimet e tyre “të pafajsisë” firmën dhe vulën e “gjyqtarëve e prokurorëve të demokracisë” që PD promovoi sapo erdhi në pushtet në 1992 me kursin e Plepave. Pasojat e tmerrshme politike dhe sociale, që kanë sjellë vendimet e kursantëve të Plepave, ndjehen, dhe do të ndjehen edhe për 100 vjet në kurrizin e shqiptarëve të thjeshtë, të atyre që nuk kanë paguar përmes sekserit gjyqtarin dhe prokurorin e “demokracisë” për të fituar vendimin e ligjshëm.

Në afro 28 vjet ata kanë favorizuar krimin, trafikun, dhe kanë vlerësuar aferën korruptive, duke mos dhënë drejtësi dhe duke zhytur në llumin e zi organet e drejtësisë. Vetting-u ishte procesi më urgjent dhe më i domosdoshëm që duhej të kishte nisur prej vitesh në sistemin e kalbur të drejtësisë shqiptare. Edhe pse skartimet kanë nisur të largojnë të korruptuarit dhe të inkriminuarit nga organet e prokurorisë dhe gjyqsorit, sërish ka kursantë të Plepave, që kaparsiden majë zyrave dhe korridoreve të institucioneve të drejtësisë shqiptare, pasi kanë akoma mbrojtje politike.

E vetmja parti politike që vazhdimisht u del në mbrojtje atyre që Vetting-u po i nxjerr zbuluar, dhe po i flak jashtë sistemit të drejtësisë, mbetet çuditërisht Partia Demokratike. Në jo pak raste kjo parti, ka marrë në mbrojtje politike prokurorë e gjyqtarë të njollosur , duke treguar dobësi për ata që dikur kanë i shërbyer asaj për grabitje trojesh, pronash, zgjedhjesh etj. Pasojat e tmerrshme të kursit të Plepave, ndjehen edhe sot e kësaj dite tek shumica e shqiptarëve të thjeshtë, që kanë 20 e ca vjet që rropaten korridoreve të gjykatave dhe prokurorive, për të gjetur drejtësinë e munguar.

Pasojat e tmerrshme të kursit të Plepave, të mos harrojmë se ndjehen edhe tek pazaret politike, ku jo në pak raste vendimet e tyre kanë shkelur ligjin dhe kanë prishur zgjedhjet lokale apo të përgjithshme në Shqipëri. Ka ardhur koha që kursantët e Plepave, atyre që kanë mbetur akoma në zyrat e prokurorive dhe gjykatave tona, të akuzuar publikisht si të korruptuar dhe inkriminuar nga shqiptarët, të flaken nga sistemi drejtësisë, dhe ti jepen për hetim organeve kompetente.

Konvertimi i vendimit të organeve të Vettingu-t nga “përjashtim si gjyqtar apo prokuror në avokat”, do të thotë hiçgjë, për ata që kanë mbushur dyshekët me dollarët dhe eurot e paligjshme, do të thotë të vazhdosh të përkëdhelësh kursantët e Plepave, për të cilët PD investoi gjoxha kredo politike, për ti patur si rezervistë në mbrojte të interesave të saj politike dhe personale.j.j