Nga Armando Meta/

Pas pak ditësh bëhen një vit nga nisja e punimeve të Parlamentit shqiptar për legjislaturën 2017- 2018. Në harkun kohor të një viti në seancat plenare, deri dhe në komisionet parlamentare, kemi parë gjithshka që nga gjuha vulgare, dhuna, zaptimet e foltores, fjalime në salla bosh, transmetime live në fb, shkulje televizorash e monitorësh, bomba tymuese, gjuajtje me këpucë, dialogje erotike, fjalime mediokre, fjalor banal nga burra e gra, kërcënime nga më ekzemplaret, heqje mandatesh, protesta para, pas dhe anash Kuvendit etj. Pra, kemi parë një mozaik banaliteti e vulgariteti shumë më poshtë se dhe niveli mesatar i formimit të shoqërisë shqiptare.

PD- LSI për 365 ditë kanë qenë në vijën e parë të këtij banaliteti parlamentar shoqëruar dhe me akte dhune të verbër siç ndodh rëndomtë në pijetoret në periferi të kryeqytetit. Ndërsa nga ana tjetër mazhoranca ka vijuar që përmes kësaj zallamahie të miratojë projektligje për të cilat thuajse askush s’ka dijeni. Kjo për faktin se në planin legjislativ opozita gjatë këtyre 365 ditëve jo vetëm ka vijuar gjumin e saj duke mos debatuar për ligjet që kalojnë “fët e fët” nga mazhoranca, por largqoftë duke mos paraqitur as edhe një nismë ligjore me efekt social apo rregullator, duke përjashtuar këtu nismën për ndryshime kushtetuese për të shkarkuar kryeprokuroren Arta Marku, thjeshtë sepse ajo nuk qe e përzgjedhura e PD- LSI, por sipas përcaktimeve kushtetuese ligjore.

Fakti që të mos kesh numrat e duhura në Kuvend për të sjellë kokëթarje brenda shumicës qeverisëse, nuk do të thotë që opozita të mos ketë asnjë strategji për nismat ligjore që sjell qeveria në Kuvend. është pikërisht oponenca ndaj këtyre nismave, si dhe amendamentet e propozuara, ato të cilat gradualisht fillojnë e të portretizojnë se si mund të jetë e ardhmja qeverisëse e atyre forcave politike që sot janë në opozitë. Dy emrat që janë në krye të koalicionit PD- LSI natyrshëm që nuk krijojnë frymëzimin e duhur që zgjedhësit t’i shohin si një alternativë më të mirë qeverisëse. Sfondi i tyre politik është plot të çara, mbushur me paaftësi dhe përfolje për afera, gjë që realisht i ka bërë të jenë seriozisht të pabesueshëm. Këto difekte të rënda mund të retushoheshin nëpërmjet një punë në grup, e cila ka në qendër të vëmendjes alternativa qeverisëse dhe jo thjeshtë deklamacionin “Rrok- Frrok- Babale”. Njerëzit kanë prirje për të parë nga e ardhmja dhe jo të jenë thjeshtë peng i së shkuarës.

Brenda opozitës parlamentare ka jo pak personalitete të cilët seriozisht mund dhe do të duhet të bënin një opozitë të fortë ndaj qeverisë me argumenta profesionalë. Mjaft prej tyre kanë drejtuar institucione të rëndëisshme të shtetit. Por janë pikërisht këta zëra ata të cilët e kanë pësuar më së shumti nga “e enjtja” parlamentar, të cilët kanë vendosur të heshtin duke i bërë një dëm jo të vogël vetë opozitës. Në 365 ditë të mos arrish të sjellësh në Kuvend asnjë amendament apo të bësh një betejë profesionale kundër nismave ligjore të qeverisë, të cilat në disa raste kanë sjellur jo pak pasoja, dëshmon se ja ka futur gjumit e merr rrogën qyl, pavarësisht zhurmës që krijon çdo të enjte të sallën e Kuvendit.