Viti 2010. Afrika e Jugut. Spanja shpallet kampione botërore. Dhe baza e asaj skuadre të “La Roja” përbëhej nga shtatë lojtarë të trajnuar nga Pep Guardiola gjatë sezonit pararendës të Kupës së Botës së atij viti. Piqué, Puyol, Iniesta, Xavi Hernández, Víctor Valdés, Sergio Busquets dhe Pedro Rodríguez ishin një pjesë themelore e ekipit që meritoi lavdinë. Deri atëherë, Pep sapo kishte përfunduar sezonin e tij të dytë në krye të Barcelonës.

Viti 2014. Brazil. Gjermania shpallet kampione botërore. Dhe baza e asaj skuadre përbëhej nga shtatë lojtarë të trajnuar nga Guardiola gjatë sezonit pararendës të Botërorit të atij viti. Manuel Neuer, Bastian Schweinsteiger, Thomas Müller, Philipp Lahm, Toni Kroos, Mario Götze dhe Jérôme Boateng ishin pjesë thelbësore e “Mannschaft”, që fitoi Botërorin e katërt. Deri atëherë, Pep sapo kishte përfunduar sezonin e tij të parë në krye të Bayern Munich.

Skeleti i dy ekipeve të fundit që kanë fituar Kupën e Botës është formuar nga lojtarët me etiketë “Guardiola”, lojtarë të ngopur gjatë ditëve të vitit “Metoda Pep”, për atë trajtim të mirë të topit. Spanja dhe Gjermania, natyrisht, me kontributet vendimtare të Löw dhe Del Bosque, ishin dy skuadra, të cilat u karakterizuan nga loja e mirë, diçka e nënkuptuar ndaj grupeve të Guardiolës.

“Caprichos del destino”, të dy lojtarët që shënuan golat vendimtarë në finale ishin edhe dishepujt e Pep. Njëri, Iniesta, të cilin e drejtoi në Barcelonë. Ai ishte autori i golit me të cilin Spanja mundi Holandën në kohën shtesë, në finalen e vitit 2010. Tjetri, Götze, u trajnua nga trajneri katalanas te Bayern Munich. Ai shënoi golin e fitores, me të cilin Gjermania mundi Argjentinën në finalen e vitit 2014.

Viti 2018. Rusi. Dhe historia mund të përsëritet. Paul Scholes, një legjendë e gjallë e futbollit, riafirmon teorinë e Pep dhe “fabrikën e tij të kampionëve botërorë”. “Guardiola ka padyshim një ndikim në ekipin kombëtar anglez”, – tha ish-lojtari i njohur. “Tre Luanët” janë një hap larg nga finalja (luajnë gjysmëfinalen të mërkurën, kundër Kroacisë) dhe mund ta fitojnë titullin e kampionit të botës për herë të dytë në histori.

Tek Anglia janë katër lojtarë: Kyle Walker, John Stones, Fabian Delph dhe Raheem Sterling, të trajnuar nga Guardiola te Manchester City, ku Pep ka përfunduar sezonin e tij të dytë në stol. “Qytetarët” nuk janë shumicë në ekipin kombëtar, ka një lojtar më shumë nga Tottenham (5), njësoj nga Manchester United (4), por Scholes beson se rëndësia e Guardiolës në ndeshjet e Anglisë në këtë Botëror është e madhe.