Raporti i kredive me probleme në muajin maj 2018 është ulur në 13.3%, krahasuar me një muaj më parë që ishte 13.5%.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, raporti i kredive me probleme ka rënë me rreth 2.5 pikë përqindjeje.

Sipas BSH-së, në fund të majit, portofoli i kredisë për ekonominë ka vlerën e më pak se 540 miliardë lekëve, 1% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Treguesi i kredive me probleme gjatë këtij viti ka ruajtur trendin e rënies. Megjithatë Banka e Shqipërisë ka shtuar përpjekjet për ta zbaritur këtë tregues në shifra njëshifrore.

Për të dhënë një shtysë në uljen e tyre të mëtejshme, Banka e Shqipërisë ka përgatitur një rregullore të re për trajtimin jashtëgjyqësor të kredimarrësve në vështirësi financiare. Kjo rregullore pritet të ndihmojë në zgjidhjen e rasteve të kompanive që kanë ekspozime të mëdha dhe të njëkohshme në disa banka të sistemit.j.j