Befason Polonia. Trajneri i ri i Kombëtares do të jetë Jerzy Brzeczek, që parakalon në finish Gianni De Biasin.

Siç bëjnë të ditur mediat italiane, ish-trajneri i Kombëtares shqiptare kishte folur disa herë me Zibi Boniek, presidentin e Federatës Polake të Futbollit dhe dukej vetëm një hap larg akordit zyrtar.

Në mënyrë surprizuese federata në Varshavë lajmëroi se trashëgiminë  e Adam Nawalka, trajnerit të Polonisë zhgënjyese në “Rusi 2018” do ta marrë 47-vjeçari Jerzy Brzeczek, ish-mesfushor dhe kapiten i Polonisë që fitoi medaljen e argjendtë në Olimpiadën e Barcelona 1992.

Si trajner deri më tani ka drejtuar Rakow Czestochova, Lechia Danzica, Gks Katowice dhe Wisla Plock.

Përsa i përket motiveve të zgjedhjes ndoshta kanë ndikuar motivet nacionale për një trajner polak, ose ndoshta Boniek thjesht ka dashur të luajë në disa tavolina njëherazi, por e sigurt për mediat italiane është që De Biasi ka mbetur i pakënaqur.