Në Lezhë sërish është zhvilluar një takim sa i përket problematikave të sezonit turistik. Subjektet private që derdhin ujërat e zeza në det do të përballen me masa të ashpra ndëshkimore, ndërsa nuk do iu rinovohet leja mjedisore nëse nuk vendosin aperaturat e nevojshme për filtrimin e ujërave të ndotura.

Paralajmërimi ka ardhur nga Prefekti i Lezhës, Gjergj Prendi gjatë një takimi që zhvilloi me drejtuesit lokal dhe të institucioneve rajonale për të diskutuar rreth situatës dhe problematikës në zonat bregdetare të Lezhës.

I gjithë ky takim ishte sa për t’u hedhur hi syve qytetarëve lezhian dhe jo vetëm, pasi dhjetra subjekte private vijojnë të derdhin ujërat e zeza në lumin Drin, e ky i fundit përfundon sërisht në det.  Ndërkohë që vendimi i qeverisë për moshedhjen e ujërave të zeza në det, ka nisur që para 6 ditësh.

Ndërkohë që Bashkia e Lezhës, vijon t’i dalin huq premtimet, sa i përket infrastrukturës së zonës së Shëngjinit. Para nisjes së sezonit turistik ishte nënkryetarja e bashkisë, e cila premtoi se rruga hyrëse e Shëngjinit dhe qendra do të mbaronte para fillimit të sezonit turistik. Ndërsa këtë radhë, Kryetari Fran Frrokaj tha se rregullimi do të përfundojë brenda muajit qershor, ndërkohë që punimet nuk kanë filluar akoma.

Në këtë takim  nuk mbeti pa premtuar as Drejtori i Policisë Vendore të Lezhës, Ferdinand Mara, i cili premtoi se zhurmat do të monitorohet në vazhdimësi dhe do të jenë objekt i mbarëvajtjes së sezonit.

I gjithë takimi mes Prefektit të qarkut Lezhë dhe përfaqësuesve të tjerë vendor u mbyll duke u dakordësuar për vendosjen e një taskforce të përbashkët, e cila pritet t’i përmbush premtimet e dhëna nga drejtuesit e institucioneve të Lezhës./e.e