Presidenti i zgjedhur nuk qëndron mbi palët, ai shkel mbi to

0

Nga Arjan Çuri

Që presidenti i zgjedhur e ka marrë me detyrim-përcaktim, sipas deklarimeve të tij, detyrën, kjo po kuptohet çdo ditë e më shumë, por që këtë gjë ta ketë bërë për stabilitetin e vendit, siç është rrekur të shpallë, kjo nuk po duket gjëkundi. Fakti që ai pret 24 korrikun për të hyrë në kostumin e tij të ri presidencial, dhe për pasojë të veshë rolin e tij që i cakton Kushtetuta dhe tradita e republikave parlamentare, që duan që Presidenti të jetë mbi palët, tregon se kreu i ardhshëm i shtetit çdo ditë e më shumë, po bëhet pishman për detyrën që ka pranuar. Kjo sepse në natyrën e tij, kandidati ynë është më shumë me karakter kryeministror, apo thënë më thjesht, ëndrra e tij në sirtar, ka qenë që të vijë ajo ditë ku ai të ngjitej në krye të të gjithë të majtës shqiptare, dhe të ishte kandidati i saj për kryeministër. Por duket se dikush, duke i dhënë më shumë sesa ai ëndërronte, guxoi dhe ia prishi ëndrrën e tij, dhe këtë gjë, Presidenti ynë i zgjedhur, nuk duket se mund ta falë kollaj

Kështu, kemi për herë të parë në historinë e politikës moderne, jo vetëm të vendeve perëndimore, por edhe të ndonjë vendi të rajonit, që një President i zgjedhur, të jetë i detyruar nga rrethanat, të vihet në krye të fushatës të partisë që ka drejtuar deri ditën që u zgjodh në postin më të lartë shtetëror. Dhe nëse me zgjedhjen  e tij, ai moralisht dhe ligjërisht dha dorëheqjen nga kreu i partisë që përcaktonte rrotacionin e pushtetit në Shqipëri, nga ana tjetër, zemra e tij rreh për partinë të cilën e lindi dhe e rriti, dhe nga e cila duket se e ka shumë të vështirë të shkëputet. Sigurisht, në lojën politike, të cilën deri dje dukej se e zotëronte, rrota e fatit deshi që ta vinte vetë atë nën të, që do të thotë se nëse me lëvizjet e tij ishte ai që përcaktonte fatin e të tjerëve, tashmë të tjerët e luajtën lojën që ai ta shikonte veten jashtë çdo lloj aleance paraelektorale, fakt që do ta tkurrë pa masë, partinë e tij, por edhe që do t’i japë asaj për herë të parë, shansin, për të treguar realisht peshën e saj në mbështetjen popullore. Dhe sa shans do të marrë nga këto zgjedhje, aq shans do t’u japë edhe votuesve të vetë, që presin me ankth të përfitojnë një vend pune, apo më keq, që të mos humbin atë që kanë.

Në këtë mënyrë, kemi për herë të parë përjetimin e një fushate elektorale presidenciale “sui generis”, dhe ku unikaliteti i kësaj fushate presidenciale qëndron te solidariteti dhe humanizmi që presidenti tregon, pasi ai nuk po bën fushatë për vete, sepse e ka të fituar postin, por për partinë, të cilën me aktin e dorëheqjes, duket sikur e ka lëshuar, kurse me zemër, kurrsesi jo. Kështu, i rrëmbyer nga ethet e fushatës, Presidenti ynë i zgjedhur, duket sikur e ka humbur qëndrimin pajtues dhe mbi palët, që e kishte çuditërisht shumë më tepër në pozicionin e Kryeparlamentarit dhe tashmë ka marrë rolin e kingmakerit, për herë të fundit, por jo më në favor të kreut të të majtës apo të të djathtës, por të pasardhësit të tij në parti, dhe duket sikur ky është amaneti i fundit i angazhimit të tij aktiv në politikë. Dhe në këtë përpjekje, Presidenti i zgjedhur është duke shkelur me të dyja këmbët mbi palët, kur presupozohej që të qëndronte mbi to. Dhe të qëndrosh mbi palët, nuk fillon me ditën e betimit kur merr formalisht detyrën, por duhet të kishte filluar, që ditën e zgjedhjes së tij, atëherë kur palët, në marrëveshje me njëra-tjetrën, ia besuan këtë rol.

Si mund të pretendosh nesër, pasi të jesh betuar, e formalisht e kushtetutshmërisht të marrësh postin e presidentit, të thërrasësh palët, të cilat në Shqipëri krijojnë kriza të herëpashershme, dhe t’i ulësh ato në tryezën tënde të rrumbullakët presidenciale, kur i ke quajtur ato, disa ditë para betimit, si karagjoze, lapangjoze apo më keq akoma, si kriminale apo vjedhëse të zgjedhjeve, pa u bërë zgjedhjet akoma? Dhe si mund të pretendosh të vijosh të gëzosh besimin e palëve, kur kërcënon se pas marrjes së postit, nuk do të mandatosh për Kryeministër, këdo që do të të duket si vjedhës apo manipulator zgjedhjesh, thënë ndryshe, si personi që futi duart në votat e partisë tënde? Pastaj, cila kushtetutë apo traditë normale ligjore, ia jep Presidentit tagrin, të gjykojë kush apo nëse zgjedhjet janë manipuluar apo vjedhur, në momentin që ato certifikohen nga KQZ-ja, si organ kushtetues dhe njihen nga komuniteti ndërkombëtar?

A është kjo sjellje presidenciale, garant i sigurimit të një stabiliteti në vijim? Apo Presidenti ynë i zgjedhur, është duke e krijuar stabilitetin akoma pa hyrë në zyrën e tij, nga ai lloj stabiliteti, që shkon deri në paradoksin kur palët, kërcënojnë ta shkarkojnë akoma pa e emëruar zyrtarisht? Ky lloj mishmashi presidencial erdhi si pasojë e moskrijimit ende të një traditë të votimit për President të një kandidati që edhe pse mund të vinte nga radhët e politikës, do të ishte në perëndim të karrierës së tij, dhe nuk do të kishte brenga apo ëndrra të parealizuara në sirtar, sepse edhe presidentët funksionojnë psikologjikisht si të gjithë individët, shtypja e dëshirave të parealizuara i shpie ata drejt sjelljeve të dhunshme dhe agresive, qoftë ato edhe për hir të diskurseve elektorale.

Gjithashtu, kjo lloj sjelljeje devijante presidenciale, e paparë kurrë më parë në historinë e pluralizmit shqiptar, lidhet edhe me zgjedhjen apo pranimin nga halli të një detyre. Roli i Presidentit në një Republikë që tenton të “shqyhet” në mes nga palët, duhet të jetë i shenjtë, dhe po aq e shenjtë dhe e pastër duhet të jetë kandidatura e tij, dhe kjo shenjtëri, në një demokraci parlamentare, garantohet nga një votë, jo vetëm konsensuale, por edhe unanime, nëse do të ishte e mundur. Kështu nuk do të kishim zgjedhjen e sforcuar të një kandidati, që as nuk do dhe as nuk mund të qëndrojë mbi palët, sepse nuk është aspak kjo ambicia dhe dëshira e tij e brendshme.

Dhe si përfundim, edhe pse realiteti politik shqiptar nuk e njeh rolin protokollar të një first lady, qëndrimin e paritetit apo baraslargesës mbi palët, nuk mund ta garantonte dot asnjë President, bashkëshortja e të cilit, do të gëzonte me të drejtë, sipas një karizme të shkëlqyer të një femre të fuqishme dhe lidere politike e padiskutueshme. Kështu, sërish për herë të parë në Shqipëri do të kishim shtetasin e parë të Republikës, në konflikt të hapur interesi me postin që mban.

Duke marrë të gjitha këto rrethana në analizë të përmbledhur, shpreh keqardhjen, që aktorët politikë shqiptarë, përfshirë edhe Presidentin e zgjedhur, nuk mundën dot as kësaj here, ta mbanin pozicionin më të lartë shtetëror, në lartësinë e shenjtërisë së detyrës së tij, që duhet të ishte e panjollshme. Një kandidat që deklaron se nuk e donte zgjedhjen e tij, por e detyruan, dhe nuk arrin të qëndrojë mbi palët, me justifikimin se nuk ka marrë akoma detyrën, detyrë të cilën kërcënohet se do ta humbasë shumë shpejt me shkarkim, nuk bën asgjë tjetër, veçse (me apo pa dashje, këtë nuk e dimë, Presidenti i zgjedhur e di), të jetë vetë i pari, cënuesi më serioz i “fronit” të tij presidencial, nga i cili, nëse vazhdohet kështu, me shumë gjasa, ose do të japë vetë dorëheqje, ose do ta përmbysin pa e gëzuar ende.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU