Ndërtimi i autostradës Adriatiko-Joniane dhe realizimi i gazsjellësit Adriatiko-Jonian janë dy projekte strategjike në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

Duke theksuar rëndësinë e këtyre projekteve, Kryeministri Edi Rama, i cilësoi ato një kapitull të rëndësishëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Shkodër, Rama tha se ndërtimi i autostradës Adriatiko-Joniane, është një projekt strategjik i mbështetur fuqimisht nga të dy palët”.

Ndërkohë, tha ai, “ne jemi në një proces intensiv lobimi për mbështetur dhe mundësuar realizimin e gazsjellësit Adriatiko-Jonian, që Mali i Zi dhe Kroacia të përfitojnë drejtpërdrejtë nga gazsjellësi Trans-Adriatik”.

Në këtë mënyrë, tha Rama, “nga pikëpamja energjetike kapacitetet rajonale fuqizohen në mënyrë të ndjeshme”.

Kryeministri Rama nënvizoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në çdo aspekt, nga ekonomia deri te siguria. Ai theksoi se të dyja vendet janë në një proces rritjeje të bashkëpunimit për të siguruar kufijtë nga të gjithë flukset e veprimtarive ilegale të natyrave të ndryshme.