Veliera në Durrës është një ndërhyrje që do të transformojë jo vetëm një zonë, por imazhin e një qyteti të tërë.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në prezantimin e projekteve të reja për qarkun e Durrësit.

Rama u ndal në projektin e transformimit në bashkinë e Durrësit, atë të velierës, ndërsa kërkoi që të marrë fund maskarada e organizuar politikisht kundër saj.

“Shpresoj shumë që të marrë fund maskarada e organizuar politikisht, përmes disa sharlatanëve që vetëquhen mbrojtës të ambientit, për të bllokuar një prej projekteve që kush e ka kundërshtuar do ta mohojë, velierën”, tha Rama.

Kryeministri kërkoi që puna të vazhdojë dhe sezonin e ardhshëm dhe Veliera të jetë aty jo vetëm për të transformuar Durrësin nga pikëpamja e ndotjes së trafikut dhe shëmtisë, por edhe është kthyer në magnet për turizmin.