Me anë të një projektligji, qeveria dhe Bashkia e Tiranës do të pëcaktojnë një procedurë të veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës për projektin urban dhe Teatrin e ri Kombëtar.

Por kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias dhe Edukimit, Albana Vokshi deklaroi se kjo nismë bie ndesh me Kushtetutën, ligjin për koncensionet dhe atë për vetëqeverisjen vendore.

“Rama ka hartuar këtë ligj të posaçëm vetëm për të shmangur përgjegjësinë penale të personave të përfshirë në këtë aferë korruptive dhe për të ligjëruar shkeljet flagrante të ligjit që janë kryer, po kryhen apo do të kryhen në realizimin e këtij projekti”, deklaroi Vokshi.

Sipas deputetes demokrate, fituesi është i paracaktuar, shmanget detyrimi për votimin e projektit me shumicë të cilësuar votash në Këshillin Bashkiak, ndërsa Parlamentit i mbetet roli i noterit.

“Me anë të këtij projektligji, Rama pranon automatikisht projektin e prezantuar nga subjekti privat “Fusha sh.p.k.”, pa iu nënshtruar asnjë procesi konkurrimi apo gare të hapur pa asnjë procedurë konsultimi me grupet e interesit, apo me qytetarët”, u shpreh Vokshi.
Miratimi i këtij projektligji, sipas Vokshit, nënkupton shembjen e menjëhershme të Teatrit aktual Kombëtar, ndërtimin e teatrit të ri, shoqëruar me ngritjen e disa kullave të larta në qendrën historike të Tiranës.

Ajo i bëri thirrje prokurorisë që të nisë procedim penal për “shpërdorim detyre” dhe për veprime të dyshuara korruptive.