Prokurori i Apelit Tiranë, Gentian Trenova u përball ashpër me organet e vettingut. Ai doli këtë të enjte në seancë dëgjimore publike, përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e votoi me përparësi pasi kandidon për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Nga sa rezultoi në seancë, ish-prokurori i krimeve të Rënda kishte probleme me dy shtyllat e vettingut; pasurinë dhe aftësinë profesionale. Në raport thuhej se jo vetëm nga ILDKPI, por edhe nga hetimi i thelluar i komisionit ka rezultuar se prokurori ka bërë deklarim të rremë dhe ka mungesë të burimeve financiare.

Në lidhje me pasurinë, në raport evidentohej fakti se prokurori i Apelit kishte deklaruar si pasuri një apartament në rrugën “Ferit Xhajko” në Tiranë, blerë në vitin 2007.

Për Komisionin çmimi i blerjes ishte fiktiv. Kjo, pasi në kontratën e parë, vlera e apartamentit ishte deklaruar 40 mijë euro, ndërsa në të dytën deklarohej se prona ishte blerë me vlerën e 1 milionë e 900 mijë lekë. Këtë apartament – thuhej në raport – prokurori ua dhuroi përmes një kontrate fiktive prindërve të bashkëshortes, në një kohë që vijonte dhe vijon të jetojë po aty. Me këtë veprim – tha relatorja – Gentian Trenova ka kompromentuar rëndë figurën e magjistratit.j.j