Vetëm gjatë vitit 2017 janë 42 mijë të punësuar të regjistruar në sektorin e turizmit, ndërsa në 10 vitet e ardhshme kjo shifër pritet të shkojë në 250 mijë të punësuar.

Kështu deklaroi të hënën kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në Durrës, me të punësuar nga arsimi profesional në fushën e turizmit.

“Janë 42 mijë të punësuar të regjistruar gjatë vitit të kaluar. Po të llogarisim edhe ata që nuk janë regjistruar numri është akoma më i madh”, tha Rama.

Duke e konsideruar turizmin motorin e zhvillimit të ekonomisë së vendit, Rama tha se “vetëm në 3-mujorin e parë 2018 kemi 12%-13% rritje të numrit të turistëve”.

Ai shprehu bindjen se do të arrijmë mbi 15 % rritje brenda këtij viti, ndërsa brenda 5 viteve do të shkojmë në 10 milionë turistë.