‘Greqia dhe Shqipëria do të bien dakord me një dokument të ri bashkëpunimi strategjik’.

Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për mediat greke për negociatat mes dy vendeve për kufirin detar dhe çështjet e tjera të vjetra.

Problemet janë të vështira mes dy vendeve, por zgjidhja e tyre është absolutisht e nevojshme. Gjëja më e rëndësishme është që jo vetëm t’i zgjidhim këto probleme, por t’i çojmë ato në një tjetër nivel, bashkëpunimi dhe partneriteti. Marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të kapërcejnë të kaluarën dhe të arrijnë në nivelin e marrëdhënieve që kanë qytetarët e dy vendeve mes njëri-tjetrit

Edi Rama

Gjatë intervistës për agjencinë greke të lajmeve “AMNA”, kryeministri i Shqipërisë nuk e ka fshehur kënaqësinë e tij me marrëveshjen e Prespës midis Greqisë dhe Maqedonisë. Gjithashtu Rama vlerësoi edhe samitin e Londrës për Ballkanin Perëndimor, që u mbajt ditën e djeshme.

Ky është një proces i rëndësishëm që filloi pesë vjet më parë dhe vazhdon, unë mendoj se jemi në ritëm të mirë. Ajo na ndihmon për të na mbajtur së bashku dhe të na bëjnë të lëvizin së bashku. Sigurisht, kjo ndodh një kohë kur gjërat në Evropë nuk janë aq të mirë, kështu që duket si një mallkim ballkanik. Kur Europa po shkonte mirë, ne kishim probleme, tani po përmirësohemi ne dhe Evropa po përkeqësohet

Edi Rama

Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij grek, Aleksis Tsipras u takuan dje në Londër, në kuadër të Samitit të Ballkanit Perëndimor. Burime për Report Tv thanë se dy kryeministrat diskutuan rreth negociatave mbi një numër të madh çështjesh, që po drejtohen nga Ministrat e Jashtëm dhe vlerësuan arritjet e deritanishme. Çështjet për të cilat është rënë dakordësi nga ekipet negociatore mes dy vendeve janë ato për Detin, shfuqizimi i Ligjit të Luftës, heqja e sekuestros për pronat e shqiptarëve në Greqi, apo dhe mospërdorimi i mëtejshëm i emrave Vorio-Epir dhe Çamëri.