Llogaridhënia publike e qeverisë është shtrirë kësaj here në qarkun e Fierit ku Kryeministri, ministrat dhe deputetët e zonës janë njohur nga afër me projektet e qeverisë duke iu shprehur atyre dhe shqetësimet që ata kanë.

Në fjalën e tij, kreu i Qeverisë, Edi Rama ka sqaruar se kabineti i tij ka rritur vetëm 2 taksa, atë të karburantit dhe taksën për personat që fitojnë më shumë.

“Është bërë një propagandë e madhe se ne kemi rritur taksat, por e vërteta është ndryshe ne kemi rritur vetëm 2 taksa. Nëse dikush çohet dhe thotë që është edhe e treta hajde ta diskutojmë, por unë di që ne kemi rritur vetëm 2 taksa. Ne kemi rritur taksën për më të pasurit, qofte në shtet qoftë në privat, qoftë taksën mbi rrogën, tatimin mbi të ardhurat qoftë taksën mbi kompanitë më të mëdha.

E kemi thënë që ditën e parë që kush merr më shumë, do të paguajë më shumë, dhe faktikisht të gjithë ne që jemi në panel, përpara jush si funksione paguajmë më shumë taksë nga të ardhurat tona personale, sesa paguhej për këto funksione përpara

Kemi ulur taksat për 97% të njerëzve të cilët kanë një punë që punojnë në shtet ose privat dhe këtë mund ta dëshmojnë, këtë mund ta dëshmojnë infermierët, këtë mund ta dëshmojnë mësuesit, mjekët, këtë mund ta dëshmojnë punonjësit e administratës apo ata që punojnë në sektorin privat dhe që sot kanë taksë më të ulur mbi pagat”, theksoi Kryeministri.

Duke u ndalur te biznesi i vogël kreu i Qeverisë, Rama theksoi se bizneset të cilat kanë xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë do të paguajnë vetëm 5% taksë nga 15% që ishte më parë dhe do të synohet që për 92% të bizneseve të ketë 5% taksë.

“Deri dje biznesi i vogël paguante 10% taksë dhe faktikisht paguante më shumë sesa i madhi, sot paguan 0 ose 5%. Besoj në korrik, përpara sesa të mbyllet parlamenti ne do të kalojmë një masë të re ku do të ulim taksën edhe për një pjesë të biznesit që është biznesi i vogël i deri-djeshëm apo i sotëm që kalon pragun e 80 mln lekëve xhiro në vit dhe faktikisht duke kaluar pragun shkon në 15% taksë sepse konsiderohet i madh.

Nga 80 mln deri në 140 mln, ne do ta ulim taksën nga 15 në 5%, dhe faktikisht në Shqipëri ne do të kemi 92% të biznesit që ka vetëm 5% taksë. Kjo është taksa më e ulët historike dhe është taksa më e ulët në të gjithë rajonin tonë, 5% taksë për 92% të biznesit.

Për bizneset që vetëpunësojnë dhe punësojnë për bizneset që krijon vendet të tjera ndërkohë që deri në 20 mln taksa do të jetë 0.

Pra, 20 deri në 140 do të jetë vetëm 5% dhe nga 0 deri në 20% që është ajo shtresë më e ulët e të ardhurave nga biznesi i vogël, do të ketë 0 taksë” theksoi Rama.

Përsa i përket taksës së karburantit, Kryeministri theksoi se ka ardhur si pasojë e gjendjes së vështirë që gjendet shteti për shkak të borxheve në vitin 2013, ku rrezikoheshin sipas FMN-së që të mospagueshin rrogat dhe pensionet.

“Taksa tjetër që kemi rritur përvec asaj për të pasurit është taksa e karburantit.

E kemi rritur taksën e karburantit duke konsideruar nga njëra anë nevojën që kemi pasur për të marrë para nga buxheti i shtetit në kushtet ku gjetëm një gropë të madhe të trashëguar nga qeveria e mëparshme dhe kur rrezikonim siç na tha dhe FMN, që të mos ishim në gjendje për të paguar rrogat dhe pensionet në nëntorin dhe dhjetorin e vitit 2013, por kemi preferuar ta rrisim te karburanti duke pasur parasysh rënien e çmimit të karburantit.

Dhe sot llogaria është shumë e thjeshtë krahasuar me çfarë paguanin shqiptarët për karburant përpara rënies së çmimit, është faktike që çdo vit shqiptarët kanë paguar 100 mln dollarë më pak karburant me gjithë taksën brenda, sesa paguanin përpara rënies së çmimit.

Pra, kur kishin më pak të ardhura dhe kur çmimi ndërkombëtarisht ishte më i lartë, është më pak. Natyrisht që do të ishte kryevepër që të ishte më pak, por të mos harrojmë që shteti nga i cili kërkojmë çdo gjë ku kërkohet rruga, kërkohet shkolla, kopshti, spitali kërkohet kjo kërkohet ajo, funksionon mbi bazën e të ardhurave që vijnë nga taksat.

Besoj që nëse do të shikojmë faktet dhe shifrat jemi një qeveri që kemi ulur taksat”, përfundoi kryeministri Rama.j.j