Mbi 25 000 persona do të punësohen deri në fund të vitit, falë zyrave të punës, ndërsa po punohet për të formalizuar pagën reale te kompanitë e mëdha.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me banorët e Lushnjës, bëri të ditur se qeveria është e fokusuar në çështjen e punësimit, si një prioritet mjaft i rëndësishëm, teksa nënvizoi se do i shpallet “luftë” informalitetit në deklarimin e pagave reale.

“Ne jemi të vetëdijshëm që papunësia vijon të jetë një problem dhe dua që të gjithë ta dinë se vetëm përmes zyrave të punës po krijohen kushte për punësim, dhe kjo vlen për të gjithë ata që duan punë, sipas kategorive dhe profileve të tyre dhe që se konsiderojnë punën, vetëm atë që bëhet në shtet”, tha Rama.

“Ky është një problem, jo vetëm i vendit tonë, por i gjithë rajonit, se mendohet se punë të jepë vetëm shteti dhe në privat puna është e padëshiruar. Dhe kur vjen puna për të punuar në privat ka shumë ankesa, në disa raste dhe të vërteta, kur flitet për kontratat..etj. Por e vërteta është se vetëm nga zyrat e punës, pa llogaritur të tjerat ne kemi krijuar në 3 muajt e fundit, më shumë se 10 000 mundësi punësimi që janë pranuar apo janë shfrytëzuar nga njerëzit, teksa deri në fund të vitit pritet të jenë mbi 25 000 të punësuar”, theksoi kryeministri Rama.

Kryeministri shtoi se në zyrat e punës kërkohen për t’u punësuar të gjitha llojet e profesioneve. “Njerëzit thonë se aty ka punë vetëm me 250 mijë lekë, por kjo nuk është e vërtetë, pasi ka punë për të gjithë, për ekonomist, jurist, auditor, inxhinier elektronik e kështu me radhë. Mundësia është para nesh. Në tërësi, shkalla e uljes së papunësisë po merr një kthesë. Po ashtu, duhet pasur parasysh rritja e pagave, pasi duhet pasur parasysh se ndodh një fenomen, ku 41% e të punëmarrësve deklarohen sikur e kanë pagën 300 mijë lekë. Kjo është një gënjeshtër”, theksoi Rama.

“Tek formalizimi i pagës ka shumë për të bërë. Se s’ka mundësi që njerëz me role të rëndësishme të marrin 300 mijë lekë dhe kjo bën që gjithë kalkulimi të nxjerrë një rezultat që nuk është i vërtetëdhe që në dukje të bën të mendosh se paga është më e ulët se çfarë është në realitet. Ne po e studiojmë dhe këtë pjesë për të formalizuar pagën reale në kompanitë e mëdha”, tha kryeministri Edi Rama gjatë takimit të tij me banorët e Lushnjës. j.j