Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në kampin veror të FRESH, theksoi përpara të rinjve se zhvillimi e turizmit në vendin tonë ka hyrë në një fazë të re, duke e cilësuar këtë të fundit si një potencial të madh të zhvillimit ekonomik të vendit.

“Besoj që turizmi në Shqipëri sot ka hyrë në një fazë të re që na jep mundësi të kemi më shumë të ardhura, më shumë arsye për të investuar në turizëm edhe patjetër edhe më shumë optimizëm për të nesërmen, sepse nga një mundësi e shfrytëzuar shumë keq në të shkuarën turizmi duket qartësisht që është kthyer në një potencial të madh zhvillimi ekonomik, punësimi dhe integrimi po ashtu.

Patjetër që të bësh transformimet e infrastrukturës nuk është e lehtë, por të ngresh të gjithë sistemin e profesionistëve për shërbimin është shumë e vështirë akoma”, theksoi Kryeministri Rama.

Kryeministri theksoi se në plazhet shqiptare dhe jo vetëm janë bërë disa ndryshime rrënjësore, edhe pse sipas tij puna për gjallërimin e plotë të këtyre sektorëve do të vijojë.

“Besoj që kush ka qenë këtu vitin e kaluar e shikon vetë që është një ndryshim i konsiderueshëm edhe pse është një punë në proces dhe ndryshimi duhet dhe do të vazhdojë, por faktikisht deri vjet këtu ishte një kaos i paparë, një rrëmujë e madhe me makina dhe një situatë jashtëzakonisht e degraduar që nuk i bënte asnjë nder le të themi kësaj natyre të mrekullueshme, ndërsa sot ju e shikoni që është një situatë krejt tjetër nga pikëpamja e të paktën infrastrukturës së bregdetit dhe është një hapësirë krejt tjetër që është rezultat i një pune që po zhvillohet në të gjithë territorin, në të gjitha zonat turistike, ku më shumë e ku më pak, sepse mundësitë nuk janë të pakufizuara ndërkohë që nevojat janë të pakufizuara dhe patjetër që duhet shumë më tepër akoma, por kini parasysh një gjë që çka u degradua dhe u bë mbrapsht në 20 e kusur vite nuk mund dot të rindërtohet ashtu siç duhet në një kohë shumë të shkurtër”, përfundoi Kryeministri.