“Do të restaurojmë zinxhirin mbrojtës për të miturit duke përfshirë në proces të gjitha hallkat, duke filluar me institucionet e sistemit gjyqësor, e duke vijuar me institucionit e shërbimeve sociale në nivel vendor dhe më tej me përfshirjen e komunitetit”.

Kjo ka qenë deklarata e Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë një konference të organizuar për Drejtësinë për të mitur, në një nga qendrat sociale të Bashkisë së Tiranës.

Në konferencë merrnin pjesë edhe Ambasadorja e Delegacionit të BE në Tiranë, Romana Vlahutin, ministrja e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Ogerta Manastirliu, zëvendësministrja e Brendshme Romina Kuko dhe përfaqësuesi i UNICEF në Tiranë, Jawad Aslam.

Objektivi i këtij takimi ishte ndërgjegjësimi i të gjitha institucioneve shtetërore, por edhe shoqërisë civile mbi detyrimet që kanë në zbatim të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, i cili ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti.

“Drejtësia për të miturit është pjesë e rëndësishme e Reformës unike dhe radikale që kemi ndërmarrë në sistemin e drejtësisë. Tashmë slogani i kësaj drejtësisë të re është drejtësi miqësore për të gjithë të miturit në kontakt me ligjin, qofshin ata autorë, viktima apo dëshmitare”, ka deklaruar në fjalën e saj ministrja e Drejtësisë.

Sipas saj qasja tek një drejtësi miqësore sjell në skenën e drejtësisë rolin aktiv që duhet të kenë shërbimet sociale në nivel vendor, pasi tashmë sistemi penitenciar është mundësia e fundit për të trajtuar një të mitur.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Çështjeve sociale, në fjalën e saj ka theksuar: “Që të ketë më pak raste të fëmijëve në konflikt me ligjin duhet të bashkojmë përpjekjet për të forcuar mekanizmin e parandalimit dhe trajtimit të fëmijëve në situatë rreziku. 223 punonjës të mbrojtjes së fëmijëve punojnë çdo ditë në terren jo vetëm për evidentimin e fëmijëve në situatë rreziku, por për një trajtim të plotë, të integruar, me plane individuale për secilin prej tyre. A janë mjaftueshëm? Sigurisht që jo. Do duhet të bëhet më shumë nga disa bashki, për të patur punonjës të dedikuar por edhe të mirëtrajnuar për mbrojtjen e të miturve”.

Nga ana e saj ambasadorja e Delegacionit të BE-së, Romana Vlahutin është ndalur në nevojën për edukim ligjor të fëmijëve dhe rehabilitimin e tyre kur bien në kontakt me ligjin.

“Është një nismë për të cilën ne tregojmë se jemi të kujdesshëm për të gjithë. Përpiqemi që këta fëmijë të rriten nesër dhe të njohin ligjin. Ne po përpiqemi të përmirësojmë të gjithë vendin, që të krijojmë një mjedis për këta fëmijë që të rriten siç duhet. Sistemi duhet t’i trajtojë ata, në mënyrë që t’i rehabilitojë dhe jo t’i inkriminojë më tej. Një fëmijë nuk mund të merret në pyetje si një i rritur, ndaj në kontekstin e reformës në drejtësi janë përfshirë aktet e një drejtësie restauruese dhe jo ndëshkuese. Legjislacioni krijoi bazën ligjore për trajtimin e të miturve, nëse ata janë autorë, viktima apo dëshmitarë të një krimi. Duhen përdorur qasje që janë miqësore me fëmijët”, ka deklaruar Vlahutin.j.j