Plot 11 mijë udhëtarë dhe 1.500 makina pritet të hyjnë në vendin tonë gjatë kësaj të diele nga vendkalimi kufitar i Portit të Durrësit.

Kjo e dielë regjistron edhe pikun e fluksit për këtë sezon, për sa i përket numrit të emigrantëve që kthehen për të kaluar pushimet në atdhe.

Nga 7 tragete të linjave detare me portet italiane të Barit dhe Ankonës, të planifikuara për këtë ditë nga kompanitë e lundrimit, kanë mbërritur në port 5 tragete.

Dy tragete të tjera priten në mbrëmje, ndërkohë që në port është ankoruar dhe kroçera “Sirena”, me 714 turistë që do të vizitojnë disa nga qendrat më të afërta historiko-kulturore të vendit tonë.

Kapiteneria e Portit bën të ditur se ka marrë të gjitha masat për një përpunim të shpejtë e të sigurtë në terminalin e udhëtarëve.

Të dielën e kaluar hynë në vend 8.000 emigrantë nga Shqipëria e Kosova, ndërsa gjatë muajit korrik kanë hyrë në vend nga kjo pikë kufitare mbi 85 mijë persona e kanë dalë rreth 32 mijë të tjerë.