Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) njofton se hidrocentrali i Fierzës, më i madhi në vend, ka arritur kuotat historik të nivelit të liqenit, për muajin korrik duke siguruar rritje të konsiderueshme të të ardhurave për 6-mujorin e parë të vitit 2018.

KESH njofton se, reshjet e ditëve të fundit kanë shtuar ndjeshëm nivelin e liqenit të Fierzës, i cili ndodhet në kuotën e tij maksimale dhe nga përllogaritjet paraprake për këtë vit, raportohet se ka siguruar rreth 60 mln euro të ardhura në tregun e parregulluar.

Prurjet e fundit janë pak më shumë se 850 metër kub në sekondë, të mjaftueshme për të ruajtur balancën mes sasisë së ujit që del nga katër turbinat që prodhojnë energji elektrike dhe sasisë së prurjeve që shkarkojnë në liqenin e Fierzës.

Këtë fundjavë edhe raporti i INSTAT bëri të ditur për një rritje të ndjeshme në ekonomi, e cila ka arritur rritjen më të lartë në më shumë se 7 vite e nxitur kjo nga rritja rekord e prodhimit të energjisë, pikërisht si pasojë e reshjeve.