Gjykata e Tiranës ka ndryshuar masën e sigurisë për dy të rinjtë Marsel dhe Kridens Alla, të cilët akuzohen për vrasjen e 22-vjeçarit Marvi Mihali, për një karikues.

Ndërsa, për shtetasin tjetër bashkëpunëtor në vrasje, Eugen Bitraj, është lënë në fuqi masa e arrestit ‘detyrim paraqitje’. Ndërkohë, hetimet për vrasjen e 22-vjeçarit janë mbyllur dhe dosja ka shkuar për gjykim.

Pak kohë më parë, Prokuroria liroi nga burgu tre të rinjtë, duke lënë pas hekurave vetëm njërin prej autorëve të krimit, 19-vjeçarin Dejvi Bitraj. Tashmë, gjykata vendos të rikthejë në burg edhe dy shokët e tij, duke hetuar në gjendje të lirë vetëm Eugen Bitrajn.

Vendimi i Prokurorisë bëri shumë bujë, ku babai i 22-vjeçarit, Pavllo Mihali, paditi prokurorin e dosjes, Artan Lulajn, si dhe gjyqtarët e kësaj çështjeje, duke u shprehur se ata kishin marrë lekë për të liruar vrasësit e djalit të tij. Menjëherë pas vendimit të Prokurorisë dhe padisë së Mihalit, çështja i kaloi prokurorit Gjergji Tako (me ndërhyrjen edhe të kryeprokurores Arta Marku), i cili kërkoi ndryshimin e akuzës për tre të rinjtë.

Gjykata pranoi kërkesën e prokurorit Tako dhe tre të rinjtë tashmë do të përballen me akuzën e “vrasjes së kryer në bashkëpunim”. Menjëherë pas marrjes në dorëzim të kësaj çështjeje, prokurori Tako kërkoi ndryshimin e akuzës për tre të rinjtë, ku sot gjykata vendosi t’i rikthejë ata në burg.

Vrasja

Marvi Mihali u vra më 31 korrik të vitit 2017 në zonën e stadiumit “Dinamo”. Miku i tij Armend Haxhiu i kishte shitur një telefon Devi Bitrajt, por nuk i kishte dhënë karikuesin. Pas debateve mes Haxhiut dhe Bitrajve është vendosur që të takohen për t’u sqaruar te Dinamo. Haxhiu ka kërkuar që aty të shkonte edhe miku i tij Marvi Mihali dhe pas shumë telefonatash ka arritur ta bindë Marvin.

Mësohet se mes të rinjve të konfliktuar ka pasur një debat mes 19-vjeçarit Dejvi Bitraj dhe Marvi Mihalit (viktima) dhe mikut të këtij të fundit. Më pas, sherri ka percipituar pasi Dejvi Bitraj ka thirrur në ndihmë kushëririn e tij, Eugen Bitraj, 24 vjeç, i cili ka shkuar bashkë me 3 shokë të tjerë.

Pasi kanë rrahur Marvin në rrugicën para lokalit, Dejvi Bitraj, e ka goditur me thikë në zemër duke i çarë aortën e zemrës. Marvin Mihali ndërroi jetë disa minuta më pas në spital.