Maroku

Lojtari kyç

MEDHI BENATIA

Benatia hodhi poshtë mundësinë për të luajtur me Francën apo Algjerinë dhe zgjodhi Marokun, ku tanimë është bërë kapiten. Me shumë përvojë dhe një mbrojtës shumë i aftë teknikisht ai është bërë idhull në vendin e tij për shkak të sakrificave që bën për ekipin, por jo gjithmonë ka qenë titullar te Juventus. Gjithsesi, Benatia shquhet për harmoninë që jep në ekip dhe për dikë që nuk shkel kurrë rregullat. Kapiten i vërtetë.

Prezantimi

“Luanët e Atlasit” rikthehen në Kupën e Botës për herë të parë që nga “Francë ‘98”, duke u bazuar te kompaktësia e futbollistëve, te një trajner ambicioz dhe te mbështetja e një kombi të tërë. Tani i duhet të mposhtin Spanjën dhe Portugalinë. Tingëllon si gjëja më e vështirë në botë. Apo jo?

Leksione nga eliminatoret

Maroku përfitoi nga një mbrojtje solide dhe shoqëria që kanë futbollistët me njëri-tjetrin. Në gjashtë ndeshje të eliminatoreve ata nuk pësuan gol edhe pse kishin përballë Bregun e Fildishtë, Malin dhe Gabonin, disa nga ekipet më të forta në Afrikë. Kjo ka shtuar optimizmin mes tifozëve.

Pikat e forta

Herve Renard, trajneri francez i Marokut i ka dhënë ekipit mentalitetin e duhur. Ata janë shumë të fortë në mbrojtje, luajnë të organizuar dhe me shpirt gare. Munir në portë, Medhi Benatia në mbrojtje, Mbark Boussoufa në mesfushë dhe sulmuesi i Ajax, Hakim Ziyech përbëjnë një bosht të fortë.

Pikat e dobëta

Mungon një golashënues i niveleve botërore. Gjithashtu mungesa e përvojës mund të jetë një problem. Disa nga lojtarët e këtij ekipi nuk janë titullar me skuadrat e klubeve në Europë.

Ka më shumë mundësi…

Të jenë të fortë, shumë të fortë në ndërhyrjet ndaj kundërshtarëve dhe të protestojnë vazhdimisht te gjyqtari, për këtë arsye mund të jetë ekipi më i ndëshkuar i “Rusi 2018”.

Ka më pak mundësi…

Të kërkojnë të shkëmbejnë fanellën me Ronaldo, i cili në kokën e tyre do të jetë “armiku”.

Çfarë shpresojnë…

Të fitojnë në ndeshjen e parë ndaj Iranit, si mundësia e vetme për të shpresuar te mrekullia kundër Portugalisë apo Spanjës.

Çfarë pritet të ndodhë…

Do të eliminohen në fazën me grupe. Edhe pse mund të marrin tre pikë, ka shumë pak shanse të fitojnë ndaj Spanjës ose Portugalisë.

Trajneri

HERVE RENARD

Trajneri i parë që ka fituar Kupën e Kombeve të Afrikës me dy klube të ndryshme dhe do të jetë për herë të parë trajner në një Botëror. Ai i frymëzon lojtarët të japin gjithçka dhe të mbajnë shpresë në kualifikim në një grup shumë të vështirë.

Formacioni i mundshëm: (4-3-3) Munir, Dirar, Saiss, Benatia, Achraf, Belhanda, El Ahmadi, Boussoufa, N. Amrabat, Boutaib, Ziyech

Iran

Lojtari kyç

ALIREZA JAHANBAKHSH

Mesfushori që di si të sulmojë është futbollisti kryesor i AZ Alkmaar në kampionatin holandez. Jahanbakhsh di të shënojë dhe të jap asiste, shokët e tij te Alkmaar dhe kombëtarja e Irakun e dinë mirë diçka të tillë. Kupa e Botës është një mundësi e artë për 24-vjeçarin që t’i tregojë të gjithë planetit aftësitë e tij dhe mendojmë se do ta shfrytëzojë…

Prezantimi

Iran do të marrë pjesë për të dytën herë radhazi në një Kupë të Botës, për herë të parë në historinë e tij. Meritë pa dyshim që ka Carlos Queiroz, trajner në Azi që nga viti 2011. Një rekord mbresëlënës për numrin e vogël të golave të pësuar tregon se ndaj të gjithëve do të jetë e vështirë të shënojnë përballë aziatikëve.

Leksione nga eliminatoret

Kur Irani barazoi 2-2 në ndeshjen e fundit kundër Sirisë, ishte hera e parë në 13 eliminatore që pësonte gol. Ata kanë arritur të mbajnë edhe Argjentinën në një ndeshje miqësore të luajtur në Brazil, derisa u dorëzuan në minutën e fundit ndaj golit të Lionel Messi.

Pikat e forta

Queiroz i jep prioritet organizimit taktik dhe e përgatit ndeshjen në çdo detaj duke u përshtatur me karakteristikat e kundërshtarit. Krahas faktit që janë të trajnuar mirë, iranianët janë shumë të motivuar dhe të bashkuar. Në sulm kanë një futbollist që mund të luajë edhe në elitën e futbollit europian, si Jahanbakhsh.

Pikat e dobëta

Gjetja e golit ka qenë e vështirë për Iranin, që ka shënuar 10 gola në 10 eliminatore të luajtur në grupin final në zonën e Azisë. Për më tepër, qendërsulmuesi i tyre Sardar Azmoun (31 ndeshje, 23 gola) ka pasur një sezon shumë të dobët me Rubin Kazan (23 ndeshje, 1 gol) dhe mund ta nisë nga stoli ndeshjen e parë ndaj Marokut.

Ka më shumë mundësi…

Që komentatorët të kenë probleme kur të thonë emrat e Jahanbakhsh, Morteza Pouraliganji dheReza Ghoochannejhad. Provoni t’i shqiptoni…

Ka më pak mundësi…

Të shënojnë tre gola në një ndeshje. Në 10 ndeshjet e fundit zyrtare kanë shënuar 12 gola.

Çfarë shpresojnë…

Të arrijnë fitoren e dytë në historinë e Kupës së Botës, 20 vjet pasi mposhtën SHBA në ndeshjen e luajtur në Lion të Francës.

Çfarë pritet të ndodhë…

Ekipi që do të prodhojë ndeshjet me numrin më të vogël të golave.

Trajneri

CARLOS QUEIROZ

I emocionuar nga fakti që do të ndeshet me Portugalinë e tij, nuk do të kishte ëndërr më të madhe se fitorja 1-0 ndaj Spanjës ose Portugalisë. Ka qenë trajneri i Real Madrid dhe ndihmës i Ferguson te Manchester United. E di mirë si funksionojnë gjërat në futboll.

Formacioni i mundshëm: (4-3-3) Beiranvand, Rezaeian, Montazeri, Pouraliganji, Mohammadi, Ebrahimi, Ezatolahi, Shojaei, Jahanbakhsh, Ghoddos, Taremi