Sistemi VAR do të përdoret për herë të parë në një Botëror këtë edicion. Në kombëtare të ndryshme është bërë edhe njoftimi për detajet dhe mënyrën e funksionimit, mirëpo “Sky Sports” ka detajuar gjithçka tifozët dhe spektatorët duhet të dinë rreth asistencës me video që do të kenë arbitrat gjatë këtij kompeticioni.

Diskutimet në kampionate kanë bërë që deri më tani të ketë një lloj qëndrimi nga UEFA për të mos e vendosur VAR-in në Champions, por Infantino ka caktuar që kjo teknologji të përdoret në “Rusi 2018”. Pyetja kryesore e gjithkujt në këtë moment është: “Në cilin rast do të përdoret VAR?” Kjo dhe shumë sqarime të tjera saktësohen si më poshtë nga një shkrim i detajuar i “Sky Sports”. Ja përgjigjet…

Cilat janë faktet thelbësore?
Ekipi VAR – Bëhet fjalë për një arbitër kryesor të sistemit dhe tre asistentë, të cilët do të mbështesin zyrtarët e ndeshjes në të 64 takimet që do të luhen në Rusi. Komiteti i Arbitrave në FIFA ka përzgjedhur 13 gjyqtarë. Ekipi VAR do të operojë nga një dhomë mbikëqyrëse të videove në Moskë dhe do të ketë akses te të 33 kamerat ku përfshihen 8 kamera “super slow motion” (pamje shumë e ngadalësuar) dhe 4 “ultra slow motion’ (me pamje të ngadalësuar deri në detaje), gjithashtu edhe në dy kamera për saktësimin e pozicionit jashtë loje.

Kur mund të përdoret VAR?
VAR do të kontrollojë vazhdimisht për “gabimet e qarta dhe të dukshme”, që kanë të bëjnë me katër situata që ndryshojnë ndeshjen: – Golat dhe shkeljet që kanë të bëjnë me golat. – Vendimet për penallti dhe gabimet që kanë të bëjnë me akordimin apo mos akordimin e penalltisë. – Kartonin e kuq të drejtpërdrejtë dhe vetëm incidentet. – Ngatërrimi i personave.

 

Ndryshimi i aksioneve të kaluara:

Është aprovuar që arbitri të ketë të drejtën për të dhënë kartonë të kuq për incidentet e sinjalizuar nga VAR, edhe në një moment të shkuar të ndeshjes, pavarësisht se ka kaluar aksioni dhe ka vijuar loja. “Arbitri do të ketë të drejtën që të ndërhyjë në ndeshje, pavarësisht se aksioni ka vijuar dhe loja nuk u ndërpre në kohën reale në rast se VAR sinjalizon një incident të rëndë, që ka të bëjë vetëm me ndëshkimin me karton të kuq. Sigurisht nuk bëhet fjalë për situata të zakonta dhe që mund të duhet ndërhyrja shumë shpesh”, ka deklaruar Dejvid Eralli për “The Times” në momentin që ka shpjeguar përdorimin e VAR-it. Pamja e arbitrit në fushë përballë këshillës së VAR-it: Do të ketë incidente kur arbitri do t’i besojë këshillës së VAR-it dhe incidente kur arbitri do t’i shohë pamjet në anë të fushës.

Rishikimi në fushë:

Do të ndodhë në momentin kur është shënuar një gol dhe arbitri mund të shikojë pamjet për të pikasur nëse është shkaktuar faull prej sulmuesve apo nëse ka një pozicion jashtë loje që nuk është pikasur. Sa u përket vendimeve për penallti, ashtu siç bën analizimin e incidentit të momentit, arbitri mund të shohë pamjet nëse bëhet fjalë për një incident që ka të bëjë me penalltinë apo është faull i lojtarit sulmues. Çdo rast i kartonit të kuq të drejtpërdrejtë do të ndihmohet në shikimin e pamjeve nga cepi i fushës.

Këshillat e Var-it:

Arbitri mund të marrë këshilla nga VAR, që kanë të bëjnë me momentet e pozicioneve jashtë loje për aksionet që çojnë drejt golit ose në rastet kur topi ka dalë jashtë. Sa u përket vendimeve për penallti, VAR gjithashtu mund të këshillojë nëse faulli është shkaktuar jashtë zonës së rreptësisë apo brenda saj, nëse topi ka qenë jashtë për aksionin që sjell penalltinë, apo nëse bëhet fjalë për një pozicion jashtë loje inaktiv që bëhet më pas aktiv. Gjithashtu, çdo rast ngatërrimi të identitetit të lojtarit kërkon këshillën e VAR-it. FIFA insiston në faktin që VAR nuk ndërmerr çdo vendim, përkundrazi vetëm mbështet arbitrin në gjykimin e ndeshjes, i cili është personi që merr vendimin final.

Sinjalizimi me duar:

Arbitri do të sinjalizojë me dorë në veshin e tij kur bëhet fjalë për një komunikim me sistemin VAR. Ndeshja do të rifillojë në momentin që arbitri është i vendosur se nuk bëhet fjalë për asnjë gabim. Në rast se vendimi kërkon shikimin e pamjeve në fushë ose një këshillë nga sistemi VAR, arbitri do të duhet të sinjalizojë me duar shenjën e një katërkëndëshi që të njoftojë se loja ka ndaluar dhe se po ndodh një rishikim i pamjeve.

A do të jetë e qartë për tifozët? Një nga kritikat kryesore të VAR-it në sezonin e fundit ka qenë se tifozët e pranishëm në stadium nuk mësojnë asnjëherë për çfarë vendimi bëhet fjalë dhe çfarë faulli po shqyrtohet nga sistemi, edhe në rastet kur kërkohet kohë për vendimin. FIFA ka vendosur që për çdo rast, në ekranet në stadium apo edhe në ato të transmetimit të ndeshjeve, do të ketë një sinjalizim grafik se po ndërhyn VAR. Një staf i FIFA-s, i dedikuar për këtë moment, do të bëjë njoftimin në kohë reale për të gjithë transmetuesit e Botërorit dhe komentatorët e tyre, me një njoftim në kohë reale me anë të një mesazhi kur bëhet fjalë për ndërhyrjen e sistemit VAR, arsyen e ndërhyrjes dhe vendimin me anë të një mesazhi elektronik.