Mërgim Mavraj ka shansin e artë dhe ndoshta të fundit të gjejë një klub me emër për të vazhduar karrierën e tij. Futbollisti i cili këto ditë po i kalon me ekipin e U21 të Hamburgut, nuk po gjen dot një skuadër ku të transferohet pasi është kthyer në të padëshiruar në Gjermani.

Pas dështimit të marrëveshjeve në Arabinë Saudite dhe në Turqi, gjithmonë për çështje pagesash dhe bonusesh, futbollisti shqiptar dukej se do të mbetej edhe për disa kohë si pjesë e akademisë së klubit gjerman. Por së fundmi ka dalë në skenë një emër i njohur në futbollin europian, edhe pse në fakt nuk po kalon një moment të mirë.

Informacionet nga Gjermania bëjnë të ditur se Deportivo La Korunja interesohet tashmë për Mërgim Mavrajn, duke e vlerësuar si një futbollist i cili mund të ndihmojë këtë klub të kthehet përsëri në elitën e futbollit spanjoll. Në fakt, Deportivo ra nga kategoria në sezonin e kaluar, por po mundohet të ndërtojë një skuadër që të kthehet përsëri në La Liga, kampionat të cilin e fitoi në vitin 2000.

Pyetja është: A do të pranojë Mavraj ofertën nga Spanja? Lojtari nuk dëshiron të largohet nga Hamburgu pa u dëmshpërblyer nga klubi që i prishi imazhin duke e kaluar te të rinjtë, edhe pse Hamburgu do të ishte i gatshëm ta linte të transferohej falas në Spanjë.