Nga Anri Bala/

Nuk do hesht kurrë, sepse nuk mund të hesht, kur shikoj një “ushtri” të tërë sharlatanësh, që flasin, rekomandojnë, japin mend dhe sulmojnë ngado, këdo dhe kurdo, në emër të informimit, si përfaqësues të pushtetit të katërt… medias. Ndjehem keq, kur çdo shpifës, mashtrues, aktor, drejtor apo ish-drejtor, menjëherë të thirret gazetar, analist, opinionist apo edhe moderator, porsa humbet vendin e punës si shërbëtor.

Vetëm në Shqipëri media nuk ka lidhje me informimin, sepse askush nuk e di, se çfarë është të informosh dhe si informohet, për arsyen më të thjesht, sepse nuk kanë lexuar një rrjesht të vetëm në fushën e gazetarisë dhe të mediave. Një ushtri e tërë shpifësish dhe sharlatanësh, tashmë kanë arritur ta kuptojnë, se informimi nuk i hynë në punë askujt. Njerëzit janë të interesuar për “bomba”, kur sharlatanët e tregut mediatik, janë të interesuar për të fituar… duke dizinformuar.

Tashmë, media nuk është ajo e fuqishmja mbi të tre pushtetet, por është treg i fuqishëm, ku shantazhi vlen dhe paguhet sa nuk ta merr mendja. Natyrisht, sharlatanët e dinë mirë, ndaj hapin çdo ditë media ose grupe mediatike, me një qëllim të vetëm, të rrjepin të gjithë ato ish -at dhe aktualë zyrtarë, gjyqtarë, prokurorë, bashkiakë, drejtor, që kanë bërë mijëra të zeza, për tu pasuruar në emër të pushtetit.

Sharlatanët i piketojnë, “investigojnë”, sajojnë, mashtrojnë dhe në fund i shantazhojnë viktimat e tyre, që janë me mijëra. Por në xhepat e sharlatanëve, këto mijëra, kthehen në miliona. Shumicën e këtyre sharlatanëve e përfaqësojnë ish ushtarak në lirim, aktor, piktor, vjershëtor dhe grupe shërbëtorsh të pushtet-humbësave. Kjo për një arsye të vetme, sepse ky grup pa formë, është ushtria më e bindur, që lufton, për të rikthyer në pushtet ish pagatorët e saj, që e paguajnë akoma, sepse nuk u mbarohet lehtë thesari i vjedhur dhe janë inteligjent, për të dalluar në mes turmave të pushtetit të ri dhe minjtë, që “hanë si miu dhe jo si ariu”.

Pyesni, se çfarë profesioni kanë pronarët më të mëdhenj të mediave, atyre të shkruara, audiovizive dhe on-line?! Do të habiteni, që të gjithë kanë ato profesione që u thashë më sipër, që s’duan shkollë por intuitë, për të futur hundët gjithandej ku vjen “era poshtërsi” dhe për ta konvertuar atë aromë… në pasuri.

Ndaj, media është kthyer në një sharlatanizëm, që po i bënë gjëmën këtij vendi. Duke qenë se është kthyer në treg, unë kam pak mundësi të flas, sepse flet çmimi. Edhe kur guxon, telefonatat me kërcënime apo pa kërcënime, me dashuri apo urrejtie… të kërkojnë të heshtësh. Nëse nuk hesht, shokët dhe miqtë e tu ta kërkojnë si favor, e ti e kupton, se përse duhet të heshtësh. Ti e kupton, se sharlatanët janë kudo, herë si gazetarë, herë si ushtar, herë si qytetar e miq, e herë si shokë dhe armiq… dhe ti nuk ke më pushtet për informim të paanshëm publik.

Liria në këtë vend, duket sikur nuk ka punë më me gazetarinë! Është sharlatanizmi dhe të pushtetshmit e njollosur “bujarë”, që të “lirojnë” dhe nëse je i gatshëm, ta heqin zinxhirin nga këmba, duke të vendosur në qafë, një zinxhirë të rëndë floriri. Tani nuk ke keq, sepse ke përfunduar në gazetar i katër pushteteve dhe pushtave, e do jetosh me falsitetin që pranove, për të mos mbledhur bishta cigaresh, nga ato që hedhin sharlatanët dhe “zezanët”, që nuk duan tu përmenden të zezat.

Ndaj, mos i mallkoni gazetarët e vërtetë, sepse janë me mijëra të pavërtetë dhe siç më thoshte një miku im gazetar i njohur: “Atje ku ka ushtri me gazetarë, nuk ekziston fare gazetari!”

Ndaj, duhet një ligj për gazetarinë dhe gazetarët, që të mos përfundojnë si qen kolibesh, që i zgjidh pronari sa herë të dëshiroj, për t’i ndërsyer kundër kujt të dojë. Sharlatanët janë të lexueshëm dhe të njohur, sepse janë të vendosur deri në vetëmohim për qëllimin që kanë… për ta bërë të zezën të bardhë dhe burrin me barrë!/Ekskluzive.al