Nga Arjan Syka/

Ditën e sotme në media dhe në rrjetet sociale qarkulloi një video ku shiheshin dy drejtuesit e dy sindikatave të minatorëve që rriheshin me grushte në një studio televizive. Fiqiri Xibri dhe Kol Nikolla u përleshën në studio televizive për shkak të interesave të ndryshme, duke dalë tërësisht në kunërshtim me atë që përfaqësonin e duke dhuruar një shfaqje të shëmtuar e cila nuk nderon e as përfaqëson minatorët.

Kjo skenë e cila u pasqyrua gjerësisht në media na rikthen edhe njëherë në vemendje filozofinë e funksionimit të sindikatave në Shqipëri, ku nuk ka asnjë rëndësi interesi i atyre që pretendohet se përfaqësohen, por interesi i individëve. Nuk ka asnjë rëndësi kauza, por përfitimet personale, për të cilat jemi të gatshëm të bëjmë edhe sherr me grushta në televizor që të ndalojmë tjetrin të përfitojë atë që mund të përfitojmë ne.

A mund të negociojnë me qeverinë?

Larg qoftë!

Nëse në të vërtetë do të ishte kauza dhe përfaqësimi i minatorëve qëllimi kryesor, atehërë do të kishim bashkëpunim dhe jo grushte. Nëse do të ishte prioritet interesi i minatorëve dhe jo ai personal do të kishim një sindikatë të fortëe të bashkuar. Shfaqja që pamë sot në media ishte e turpshme. Grushtet ishin hapi i fundit i një beteje personale e cila duke përfunduar në këtë mënyrë vetëdeklarohet se është personle dhe jo parimore.

Kjo traditë që vazhdon në Shqipëri kur vjen puna te kauza të ndryshme sociale na u rikujtua sot teksa pamë videon ku dy burra rriheshin me grushte si grahma e fundit e një beteje për interesa personale.

Mirëpo, nuk u mbyll këtu. Pasi lajmi bëri xhiron në media, protagonistët e videos së famshme i ranë lapsit dhe kuptuan se nëse nuk do bashkoheshin (nga halli), nuk do fitonte asnjëri. Ndaj dolën bashkë në media e thanë që do të bashkëpunojnë.

Është pikërisht kjo pika ku kuptohet qartë që këtu nuk bëhet fjalë për betejë për minatorët, por një betejë personale individësh të cilët nga frika se nuk fitojnë asgjë, bëhen bashkë për të përfituar sadopak. Po të ishte betejë parimesh, palët nuk do përlesheshin me grushte, përkundrazi do kishin gjetur gjuhën e bashkëpunimit me kohë.
Por, siç thotë populli, “në të ftohtë të acartë macja me miun flenë bashkë”. E tillë është edhe situata e kryesidikatistëve tanë të cilët kur panë që humbën çdo lloj besueshmërie nga minatorët dhe kur doli në qielll të hapur se interesi i tyre nuk ishte i minatorëve, u bënë bashkë për të mbijetuar.