Mark Zuckerberg, themeluesi i “Facebook”-ut, ka lënë pas miliarderin Warren Buffet, duke u bërë kështu personi i tretë më i pasur në botë.

Me një pasuri me vlerë totale 81.6 miliardë dollarë, Zuckerberg ia kalon Buffet-it me 373 milionë dollarë.

Ndryshimi në listën e miliarderëve doli nga klasifikimi i fundit që ka bërë “Bloomberg”.

Duket se rikuperimi i titujve në bursë, e rritur me 2.4% pas skandalit që përfshiu rrjetin social në mars lidhur me përdorimin e të dhënave, i ka dhënë Zuckerbergut një “dorë”.

Me ngritjen e Zuckerbergut, për herë të parë treshen e më të pasurve të planetit e dominojnë eksponentët e kompanive hi-tech.

I pari është Jeff Bezos me 142 miliardë dollarë, i ndjekur nga Bill Gates me 94.2 miliardë dhe i treti Zuckerberg me 81.6 miliardë.