Shqipëria do të ndajë përfitimet e gazsjellësit TAP me vendet e tjera të rajonit si mënyrë që fuqizon zhvillimin tonë ekonomik, por fuqizon edhe zhvillimin e integruar dhe qëndrueshmërinë politike në Ballkanin Perëndimor.

Kështu deklaroi të premten kryeministri Edi Rama, i cili vizitoi stacionin e kompresimit të TAP, në Fier.

Kryeministri theksoi se “janë dy projekte ku po nxiten investitorët e interesuar, degëzimi për në Kosovë dhe gazsjellësi Adriatiko Jonian”.

“Pas përfundimit të linjës së tensionit të lartë, me degëzimin për në Kosovë, Shqipëria dhe Kosova kompletojnë hapësirën unike energjetike mbarëshqiptare si hapësirë të integruar në rrjetet energjetike të Ballkanit Perëndimor dhe Europës”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se “kemi gazsjellësin Adriatiko-Jonian, investim kyç në axhendën e përbashkët të Ballkanit Perëndimor por edhe në funksion të ndërlidhjes së mëtejshme të rajonit me pjesën tjetër të Europës”.J.J