Shqipëria është duke u kthyer një lider në rajon për luftën ndaj plastikës, si një nga elementët më të dëmshëm për mjedisin.

Ornela Çuçi, zv/ministre e Mjedisit dhe Turizmit , tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se vendi ynë është duke u kthyer në lider të luftës rajonale ndaj plastikës. “Sapo është mbyllur asambleja ndërkombëtare në Vietnam, ku merrnin pjesë 128 vende. Kryefjalë ishte plastika, lufta kundër saj. 16 vende i kanë thënë jo plastikës 1 përdorimëshe, jo vetëm qeseve, por të gjitha llojeve të plastikës 1 përdorimëshe. BE hoqi me legjislacion të veçantë kallamat plastikë. Çdo ditë ka marrje masash në vende të botës për eliminimin e plastikës. Këto 20 vitet e fundit i kemi bërë një dëm të parikuperueshëm planetit me plastikën”.

“Shqipëria, vend lider në rajon për luftën kundër plastikës. Do organizohen disa konferenca ndërkombëtare për të marrë masa të përbashkëta kundër plastikës, pasi ne ndikojmë tek njëri-tjetri. Do ketë për herë të parë dhe në Shqipëri një konferencë të tillë, për herë të marrë po merren masa bashkarisht me vendet e rajonit për këtë çështje kaq të ndjeshme” tha zv/ministrja Çuçi.