Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, ka vizituar shkollën në Pustec, ku jeton komuniteti maqedonas, nga ku deklaroi se shqipja është një gjuhë zyrtare në vendin që ai qeveris. Zaev theksoi se sot ai dhe bashkëpunëtorët kanë sjellë libra në Pustec, që fëmijët të mësojnë gjuhën e tyre amtare. “Edhe në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët mësojnë shqip. Të njëjtën gjë shohim edhe në Shqipëri, ku në zonat ku banojnë maqedonas, mësohet në gjuhën maqedonase. Shqipja është gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Sot sollën libra që fëmijët të mësojnë maqedonisht“, tha Zaev.

Gjatë fjalës së tij para gazetarëve, Zaev e vuri theksin te rruga e përbashkët që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë drejt integrimit në BE. Zaev u shpreh i zgënjyer nga BE që të shtyja agjendën e dy vendeve për procesin e integrimit. “Shumë rrugë Shqipëria dhe Maqedonia i kanë bashkë, por edhe rrugën për në BE e kemi të përbashkët, edhe pse morëm një zhgënjim për arritjet e fundit në Unionin Europian. Të dy shtetet meritojnë të vazhdojnë rrugëtimin në BE. Ne po vazhdojmë konsultimet për të përfunduar këtë problematike, që në fakt nuk e dimë çfarë problemi është. Po punojmë për ta zgjidhur me qëllim integrimin në BE.

Problemi kyç ishte emri, tani ka sjellë një problem shteti bullgar, po punojmë që të zgjidhim këtë problematikë. Po të mos ishte koha e pandemisë, besoj që kjo marrëveshje do të kishte ecur më mirë, por besoj se do të gjejmë një zgjidhje”, u shpreh Zaev.